Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka një sistem aktiv për ndëshkimin e shoferëve që përdorin makina me targa të huaja, pavarësisht se sistemi “Safe City” ka hyrë në fuqi që nga 1 shkurti. Deri më tani, nuk ka të dhëna për asnjë person të ndëshkuar nga kjo kategori qytetarësh që përdorin kryesisht targa bullgare, serbe, shqiptare apo kosovare.
Edhe pse zv.ministri i Brendshëm, Astrit Iseni, deklaroi se shkeljet do të procesohen në pikat kufitare gjatë hyrje-daljeve nga shteti, në realitet asnjë masë nuk është ekzekutuar ende ndaj këtyre automjeteve. Njëkohësisht, MPB po përballet me kritika për shkak se njoftimet me SMS për shkeljet në trafik vazhdojnë të dërgohen vetëm në gjuhën maqedonase, duke shmangur zbatimin e gjuhës shqipe në komunikimin elektronik me qytetarët.

