Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në kuadër të seancës plenare të 75-të zgjodhi Muhamet Hoxha për Ministër të Mjedisit dhe Bekim Sali për Ministër të Integrimeve Europiane. Menjëherë pas zgjedhjes, të dy ministrat dhanë deklarata zyrtare para deputetëve.
Kryeministri Kristijan Mickoski para Kuvendit theksoi se emërimi i këtyre dy ministrave synon të sigurojë funksionim të plotë dhe vazhdimësi të punës në sektorët kyç të ekzekutivit.
Për Muhamet Hoxhën, Mickoski vuri në dukje përvojën e gjatë në administratën shtetërore dhe pozitat drejtuese, që e bëjnë atë të aftë për të menaxhuar Ministrinë e Mjedisit, e cila luan rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave për përdorim të qëndrueshëm të hapësirës dhe mbrojtjen e mjedisit.
Për Bekim Salin, kryeministri theksoi përvojën e tij të mëparshme si ministër dhe në Kuvend, duke e cilësuar të përshtatshëm për koordinimin e procesit të integrimeve europiane dhe zbatimin e detyrimeve reformuese të shtetit.
Deputetët dhe kolegët e tyre të partive shprehën mbështetje për dy ministrat e rinj, ndërsa opozita kritikoi se ndryshimet erdhën për të fshehur mospërmbushjet në procesin e integrimeve europiane dhe dështimet ekonomike.
Ky emërim vjen pas zgjedhjeve lokale të tetorit, kur Izet Mexhiti u zgjodh kryetar i Komunës së Çairit, duke lënë vakum në pozitat që mbulonte më parë si zv/kryeministër dhe ministër i Mjedisit.

