Qeveria i demanton informacionet e komunikuara nga LSDM lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm për gostivarasit, të cilët po përballen me ndalesën për përdorimin e ujit të pijshëm për shkak të kontaminimit me fekale. Nga LSDM thanë se uji i pijshëm i siguruar nga Qeveria për Gostivarin është blerë nga kompania e kryetarit të Kavadarcit, “Kozhuvçanka”, pa tender dhe në vlerë prej 100 mijë eurosh.
“Në lidhje me furnizimin me ujë të ambalazhuar, e vërtetë është se procedurën me negocim e ka realizuar Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta dhe siguron ujë falas për qytetarët, ndërsa kontratën përmes tenderit e ka fituar kompania ‘Kozhuvçanka’. Por, fakt është edhe se një shishe ujë prej 1,5 litrash, e cila në shitjen me pakicë kushton së paku 25 denarë, Qeveria e siguron me çmim prej 12,5 denarësh. Kjo është e mundur sepse kompania ‘Kozhuvçanka’ merr pjesë në furnizim me kontribut të vetin, me qëllim që t’u ndihmojë qytetarëve dhe institucioneve në kushte të gjendjes krizore. Faktet janë të qarta dhe lehtësisht të verifikueshme. Përpjekjet për shtrembërimin e tyre nuk do ta ndryshojnë të vërtetën. Para fakteve bie çdo manipulim. Apelojmë që, kur në asnjë mënyrë nuk ndihmojnë, të paktën nga LSDM të ndalojnë së gënjyeri pa turp”, thuhet në demantin e Qeverisë.
Prej aty shtojnë se Qeveria mbetet konsekuente ndaj detyrimit të marrë që qytetarët e Gostivarit do të marrin ujë të sigurt për pije derisa ekspertët dhe institucionet kompetente të konfirmojnë zyrtarisht se uji nga sistemi i ujësjellësit është i përshtatshëm për përdorim.
“Ky premtim po realizohet plotësisht dhe nuk do të vihet në pikëpyetje”, thuhet në demantin e adresuar ndaj LSDM‑së përcjell Zhurnal.mk .

