Kryeministri Hristijan Mickoski e shpalli të mbyllur temën e ndryshimeve kadrovike në qeveri me koalicionin VLEN, pas propozimeve të djeshme për emërimin e Bekim Salit në pozitën e ministrit për Çështje Evropiane dhe Muhamed Hoxhës në pozitën e ministrit të Mjedisit Jetësor.
“Tani për tani me këtë mbyllet. Cilat janë pritjet nga ministrat e rinj? Të punojnë me përkushtim, ndershëm dhe të punojnë në interes të qytetarëve”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
I pyetur se në cilin pozicion do të emërohet Orhan Murtezani, pas ndryshimeve të fundit do të duhet ta lëshojë pozitën e ministrit, Mickoski tha se është i kënaqur nga puna e tij, megjithatë tani për tani ka prioritete të tjera.
“Nuk kemi biseduar për emërimin e ardhshëm të zotëri Orhan Murtezani. Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me atë që deri më tani e ka punuar. Pres që edhe më tej bashkëpunimi ynë në vend tjetër, por tani kemi prioritete më të ndryshme në këtë periudhë”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Shkarkimi i Murtezanit në Kuvend pritet që të ndodh në njërën prej seancave mes 15 dhe 18 dhjetorit, ndërsa në po të njëjtën seancë pritet që të votohen ministrat e rinj Sali dhe Hoxha.
Lidhur me çështjen e mungesës së Badinterit nga ana e shumicës parlamentare dhe mundësinë e zgjerimit të saj me deputetë nga opozita shqiptare, Mickoski u shpreh se nëse shihet nga prizmi i miratimit të ligjeve reformuese nuk ka nevojë, meqë çdo deputetë duhet të votojë “për” ligjet reformuese që marrin dritë jeshile nga Bashkimi Evropian. /Alsat.mk

