May 26, 2024
Maqedoni

Qeveria kufizon sërish marzhet për produktet bazë! 5% në tregtinë me shumicë dhe me pakicë, 10% për disa produkte tjera

Për bukën e bardhë, sheqerin dhe vajin e lulediellit, vendoset marzhë tregtare në lartësi prej 5% në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Ndërkaq marzhë tregtare prej 10% do të vendoset për produktet si mielli, makaronat, orizin dhe qumështin. Masa do të hyjë në fuqi prej nesër pasi të shpallet në Gazetë Zyrtare ndërsa do të vlejë deri më 30 shtator, bëri të ditur ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë ka vendosur që të ngrijë marzhat tregtare për tregtarët me shumicë dhe pakicë, sa i përket prodhimeve apo produkteve që kanë të bëjnë me produktet bazë ushqimore e që e kanë konsumin më të gjerë për të gjithë qytetarët dhe konsumatorët në RMV. I rëndësishëm është fakti që deri në fund të vitit nuk do të pranohet asnjë farë lloj kontrate midis prodhuesve dhe tregtarëve me shumicë me zinxhirët e marketeve dhe supermarketeve”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Bekteshi deklaroi se lista e produkteve ndaj të cilave do të vendoset marzhë tregtare do të zgjerohet, nëse është nevoja “edhe në bazë ditore”.
“Kjo listë me këto produkte të cilat sot i kemi vendosur mund edhe të zgjerohet nëse Inspektorati i Tregut por edhe qytetarët lajmërohen për rritje drastike të çmimeve të produkteve bazë”, pohoi tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Ky vendim kufizon rritjen e çmimeve në periudhën e ardhshme duke përcaktuar sasinë e marzhit tregtar që duhet të ndikojë në rritjen e çmimeve me pakicë të produkteve ushqimore bazë. Në këtë mënyrë, rritja eventuale e çmimeve në tregtinë me shumicë dhe pakicë do të shkaktohet nga rritja e çmimeve të importit dhe bursës, si dhe rritja e kostove të prodhimit, shtoi Bekteshi. Sipas vendimit, siç theksoi ministri, propozohet që zbritja dhe tarifat të mos miratohen deri më 31 dhjetor 2022. Ndryshe sipas Entit Shtetëror të Statistikave, çmimet e ushqimeve në maj të këtij viti ishin 17% më të larta se i njëjti muaj i vitit të kaluar, ndërkohë që kufizimet ishin në fuqi.