April 27, 2024
Maqedoni

Qeveria e Shkupit, të martën në Sofje, këto janë reagimet

VMRO-DPMNE-ja vlerëson se Shkupi dhe Sofja nuk janë dy palë të barabarta në negociatat për zgjidhjen e kontestit, shkruan Alsat.

Sipas partisë opozitare maqedonase, qeveria bullgare drejton procesin kurse ajo vendase është vëzhgues i heshtur.

Për më tepër, VMRO-ja nuk e sheh të arsyeshme formimin e më shumë grupeve të punës mes dy vendeve, pasi thonë se kontesti është historik dhe jo ekonomik e as infrastrukturor.

“Kirill Petkov si kryeministër i Bullgarisë është ai që e drejton procesin e negociatave, që e dikton agjendën, çështjet që do të diskutohen, komisionet që do të formohen… Çështjet e historisë tani vendosen pas perdes sepse pas perdes mund të diskutohen më në detaje çështjet që janë më me interes për Bullgarinë kurse autoritetet tona do t’i ndjekin ato si analistë të pavarur. Jashtë do të diskutojmë nëse autostrada me Sofjen duhet të ketë katër korsi ose katër e gjysmë, ose sa pushimore ose pika karburanti duhet të ketë”, theksoi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Qëndrimet e funksionarëve të opozitës u bënë të ditura në tribunën me temë “Mbrojtje e interesave nacionale dhe shtetërore në vend të diplomacisë nga pazari” në godinën e partisë. Gordana Siljanovska Davkova tha se vendi nuk duhet të ripërsërisë rishtas që nuk ka pretendime territoriale për fqinjët sepse kjo është pjesë e Kushtetutës që në vitin 1992.

“Përveç asaj, tani, në emër të asaj 5+1 ose 4+1, ne i informojmë Kombet e Bashkuara se nuk kemi pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje edhe pse kjo është pjesë e Kushtetutës. Kjo është plotësisht joserioze. Kjo flet për një shtet të dobët që shkon në shkatërrim. Shtet pa kapacitet”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.

LSDM-ja reagoi ndaj tribunës së VMRO-DPMNE-së. Deklarimet e opozitës i quajtën të rreme dhe akuzat të ricikluara. Sipas tyre, para qytetarëve duhet të dilte kreu i partisë Hristijan Mickoski, për të njoftuar opinionin çfarë ka biseduar në takimin me kryeministrin bullgar.

“A ia ka bërë Mickoski kryeministrit bullgar Kiril Petkov pyetjet për të cilat i porositi mediat? Çfarë fshehin Mickoski dhe VMRO-DPMNE nga takimi me Petkovin? Për çfarë po bisedonin në atë takim? Qytetarët e kanë parë më herët në takimin e Mickoskit me Bojko Borisovin se ai ndryshon qëndrimin e tij kur takohet me zyrtarë. A ka qenë kështu edhe në takimin me Petkovin duhet ta thotë vetë Mickoski”, thonë nga LSDM.

Qeveria nga Shkupi të hënën do të udhëtojë për në Sofje ku të martën do të mbahet mbledhja ndërqeveritare. Në kuadër të saj do të formohen katër grupe të reja pune dhe do të konfirmohet vazhdimi i punës së grupit të pestë, atij ekzistues të historisë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë ditës kishte aktivitete pune, por mediat nuk ishin të ftuara. Si rezultat, nuk ka detaje të tjera rreth temave që do të hapen të martën./ Alsat.mk