May 2, 2024
Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë kërkon uljen e dënimeve me burg për funksionarët

Qeveria e RMV-së i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP), me të cilat ulen dënimet me burg për veprën e shpërdorimit të pozitës zyrtare. Amendamentet e propozuara ligjore për KP janë dorëzuar në Kuvend me flamur europian dhe tashmë janë futur në rend dite.

Sipas propozimit, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e një vjetërsimi edhe më të shpejtë të lëndëve, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë të ndryshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni nga “sdk.mk”.

Ndryshime të tilla ligjore janë kërkuar nga OBRM-PDUKM në vitin 2018 në takimet e atëhershme midis Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

Në vitin e ardhshëm, 2019, avokati i të akuzuarve Mile Janakieski dhe Nikola Gruevski pa sukses parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin ose anulimin e paragrafit 5 të nenit 353 të Kodit Penal, i cili i referohet veprave penale gjatë kryerjes së prokurimi publik ose dëmtimi i mjeteve nga Buxheti i Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjete të tjera të shtetit.

Me propozimin aktual të Qeverisë, ky paragraf fshihet.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i nënshkroi propozim-amendamentet ligjore dhe në shpjegimin thuhet se ato rrjedhin nga Programi nacional për miratimin e ligjit të BE-së.