Ligji për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat, i cili kaloi sot në Qeveri pas aprovimit nga Komisioni i Venecias, do ta rregullojë çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Kështu deklaroi përfaqësuesi i VLEN-it Albi Qamili, në debatin Zoom në TVM2. Ai tha se për herë të parë po rregullohet kjo çështje me ligj dhe përfaqësimi i drejtë bëhet obligim ligjor për të gjitha institucionet e vendit.
“Me këtë ligj, institucionet do ta kenë obligim ligjor përfaqësimin e drejtë gjatë punësimeve”, deklaroi Qamili.
Duke komentuar heqjen e balancuesit, Qamili tha se ky mekanizëm është keqpërdorur sistematikisht, me shumë maqedonas që janë punësuar në vendet e garantuara për shqiptarët duke u deklaruar si shqiptarë.
Me këtë ligj, etnia e kandidatëve vërtetohet me dygjuhësinë në letërnjoftim.
Përfaqësuesi i VLEN-it kujtoi se edhe vetë Qeveria e BDI-së, me dokument zyrtar ka kërkuar heqjen e balancuesit në mandatin e tyre të fundit.

