May 2, 2024
Maqedoni

Qafëthane, 126 mijë qytetarë kanë kaluar për pushime në Shqipëri vetëm nëpërmjet kësaj pike doganore

Një pjesë e madhe e qytetarëve përmes vendkalimit kufitarë Qafëthanë në Strugë shkuan për pushime në Shqipëri, duke i shfrytëzuar ditët e fundit para se të hyjnë në fuqi masat e reja për kalimin e kufijve, certifikatë e domosdoshme e vaksinës ose PCR test për hyrje në vend.

“Do të shkojmë afër Durrësit. Për fundjavë? Jo, për pushime, shtatë ditë. Kemi paguar përmes agjencisë. Jemi të kujdesshëm, kemi marrë vaksinën dhe kemi certifikatë. Do të jemi të kujdesshëm”.

“Edhe përkundër rritjes së numrit të automjeteve për hyrje në Shqipëri, këtu në vendkalimin Qafëthanë në Strugë, sot pritej prej 5 deri 10 minuta për dalje nga shteti”.

Të dhënat tregojnë se këtë verë në Shqipëri kanë pushuar shumë qytetarë të vendit. Sipas MPB-së vetëm në periudhën Korrik- Gusht këtë vit përmes vendkalimit Qafë Thanë janë regjistruar 126 570 udhëtarë për dalje nga Maqedonia dhe 84 2312 për hyrje në vend.

“Numrat tregojnë se në krahasim me vitin e kaluar ku për dalje nga Maqedonia janë regjistruar 81792 qytetarë tonë dhe për hyrje në vend 43987 qytetarë ose gjithsej 125779, tani ka rritje të qarkullimit të udhëtarëve dhe automjeteve për këtë sezon turistik. Kjo tregon se numri i atyre që e kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për pushime verore është shumë i madh. Fundjavën e fundit këtë muaj, që është festë në Maqedoni, pritet të vazhdojë me të njëjtën dinamikë deri më 1 shtator”- deklaroi Merlina Islami, zëdhënëse e MPB-së- Ohër.

Në periudhën e kaluar, thotë Islami, për shkak të frekuentimit të madh, është rritur edhe numri i nëpunësve policorë, ndërsa në shërbim kanë qenë më shumë sportele edhe për dalje edhe për hyrje në vend. Megjithatë, punonjësit turistik thonë se masat e reja negativisht do të reflektohen për pjesën e mbetur të sezonit, pasi ka shumë qytetarë, që duan të pushojnë gjatë shtatorit./Alsat