Punonjësit shëndetësorë protestuan sot para Spitalit të Tetovës, pasi edhe pas 5 deri 10 vitesh stazh vazhdojnë të jenë pa vendime pune. Akuzojnë se në vend të tyre punësohen persona nga jashtë dhe pa përvojë. Punonjësit thonë se janë përdorur vetëm për premtime elektorale që harrohen pas zgjedhjeve.
“Edhe pse ministri Aliu, drejtori Elezi dhe kryetari Kasami premtuan për vendet e tona të punës prapë se prapë premtimet tona e rrëzuan poshtë anëtarët e tyre partiak”, tha Driton Mustafa, punonjës shëndetësor.
“Për këtë do të ikim. Nuk do të ikim se e duam perëndimin më shumë se vendin tonë, do të ikim sepse atje të paktën vlerësohet kontributi ynë dhe nuk ka justifikime, nuk ka mashtrime të njëpasnjëshme”, u shpreh Mediha Zulbehari, punonjëse shëndetësor.
Një punonjëse e Spitalit të Tetovës akuzoi hapur për nepotizëm, duke deklaruar se nga ana e VMRO-DPMNE i është kërkuar libreza partiake si kusht për punësim.
“Nuk do të presim konkurs tjetër, mjaft pritëm duhej personeli që u pranua nga jashtë të pres konkursin tjetër a jo ne. Nuk është e drejtë ti ndërpritni kontratat për qëllime politike ashtu siç e keni bërë me disa kolege tona”, tha Ivona Nedellkoska, punonjëse shëndetësor.
Drejtori i Spitalit të Tetovës vazhdon të japë premtime për zgjidhjen e problemit, duke e shtyrë sërish afatin e realizimit për në vitin 2026.
“U kam thënë që të gjithë nuk mund të përfshihen shkaku i profilit që është marrë konkursi prej vitit paraprak. Në atë moment që kam ardhur unë kam bë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Administratës për konkurs tjetër për vitin 2026 të cilin e kam marrë pozitiv”, theksoi Erzen Elezi, drejtor i Spitalit të Tetovës.
Punonjësit shëndetësor thonë se nuk do të ndalojnë protestat deri në marrjen e vendimeve të punës. / Alsat.mk

