Një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes, punëtorët kanë filluar punën për ndërtimin e një rrethrrotullimi në fshatin Moranë të Komunës së Studeniçanit, e cila kap vlerën e 14 milionë denarëve dhe është financuar me mjete nga kredia hungareze.
“Prej dje kanë nisur ta rregullojnë rrethin, por asfaltimin se kanë askund. A kanë projekt a s’kanë se di ku është. Ndihmon shumë se këtu kur vijnë katundarët…Këtu a e sheh nuk ka shenja, kur ta shohësh vijnë prej atje me shpejtësi 100, mbyten”, tha Nimet Ramadani, Banor i fshatit Moranë Besim.
Për shkak të mungesës së punëtorëve, në Moranë kanë ardhur punëtorë edhe nga Bangladeshi.
“Jam nga Bangladeshi, kam ardhur para tre muajve. Puna është shumë e mirë, Maqedonia është shumë e mirë”, u shpreh Punëtor nga Bangladeshi.
Prej dy thirrjeve qeveritare, Komuna e Studeniçanit ka fituar gjithsej 7 projekte në vlerë rreth 4 milionë euro. Nga thirrja e parë, është realizuar projekti tërësisht, ndërsa Alsat verifikoi realizimin e punimeve në terren për një segment rrugor në malësinë e Karshiakës, e cila me dekada ka qenë e shkatërruar.
“Ndodhemi në fshatin Uji i Kuq të Komunës së Studeniçanit, rrugën që po shihni pas meje është ajo që e lidh fshatin me Kitkën. Është e financuar nga kredia hungareze në vlerë prej mbi 1.2 milion euro. Në gjatësi prej 6.5 kilometra”, raporton gazetari i Alsat, Suad Bajrami.
Sipas kryetarit të Studeniçanit, Ejup Abazi projekti edhe pse është realizuar në tërësi, paraardhësi i tij e ka futur komunën në borxh, pasi ka vendosur bordurë në njërën anë edhe pse diçka e tillë nuk është parashikuar. Me këtë, borxhi i Komunës ka arritur në 1 milion euro.
“Rruga është ndërtuar, mirëpo ashtu siç është parashikuar apo siç janë kërkuar mjetet nuk është ndërtuar. Për shkak se është rrit çmimi përafërsisht për 12 milionë denarë apo diku 200 mijë euro dhe kjo shumë tani i ka ngelur në barrë komunës që ta realizojë. Unë jam optimist, mendoj një numër i madh i këtyre projekteve do të përfundojnë deri në fund të vitit”, tha Ejup Abazi, Kryetar i Studeniçanit.
Punimet kanë filluar edhe për projektin e ujësjellësit prej Lumit Kadinë duke përfshirë fshatrat Uji i Kuq, Koliçan i Epërm dhe Koliçan i Poshtëm, por edhe për rregullimin e rrugëve në Batincë dhe Markov Manastir. / Alsat.mk

