Maqedoni

“Pucko Petrol” zapton gjysmën e tenderëve në naftë për ngrohje

“Bereqetin” e furnizimeve publike edhe sivjet e “korrën” kompanitë private të afërta me politikanët në pushtet. Pucko Petrol nga Pllasnica e familjes së deputetit të BDI, Ismail Jahoski ka fituar gati gjysmën e tenderëve për naftën për ngrohje të institucioneve shtetërore. Ministria e Brendshme dhe disa të tjera, kazermat, spitale shtetërore dhe institucione tjera publike janë vetëm disa nga klientët e kësaj kompanie të cilat këtë dimër do t’i furnizojë me mijëra tonelata naftë për ngrohje, të cilat për shumë vite u premtuan se do të gazifikohen. Të dhënat zyrtare që siguruam këtë kompani e rendisin të parën.

Furnizimet publike me naftë për ngrohje

“Në mesin e kompanive që kanë marrë më së shumti tenderë për furnizim me naftë për ngrohje është Pucko Petrol, me gjithsej 173 tenderë të fituar nga gjithsej 360 sa ka pasur të hapur në gjithë vendin.”

Përderisa telashe të reja na dolën me gazifikimin e vendit, rreth 700 objekte publike në të gjithë vendin edhe këtë dimër do të vazhdojnë të ngrohen me naftë dhe mazut. Vetëm në Shkup janë rreth 100 objekte publike, gjegjësisht spitale, kopshte, shkolla, kazerma, gjykata dhe institucione të tjera që përdorin naftë dhe mazut, pavarësisht se qyteti ka ngrohje qendrore. Këto të dhëna i hulumtoi Iniciativa Qytetare “Shanse për Qendrën”, të cilët ngritën alarmin që qytetarët edhe sivjet do të helmohen me ajër të ndotur për interesa private të dikujt. Jani Dimeski nga kjo shoqatë tha se shteti gjithnjë ka hedhur fajin e ndotjes tek amvisëritë, por kurrë nuk zgjidhi problemin me heqjen e energjensave fosile që përdorën në institucionet shtetërore, përkundrazi luftojnë kush t’i merr tenderët.

“Vlerësoj se shteti nuk mund ta zgjidh këtë problem menjëherë, këto përralla i ka thënë çdo politikan prej 15 vitesh kushdo që vjen në pushtet. Nëse problemi zgjidhet, duhet të kemi rezultat por nëse nuk kanë para dhe nuk e kanë prioritet deri më tani mendoj se është koha të ndryshohet kjo storje. Shteti nëse ndryshon vetëm nga një objekt në vit, në çdo qytet që ndotin ajrin me djegie të mazutit, do të pastrohej situata, duke iu ndryshuar edhe mënyrën e ngrohjes”, tha Jane Dimeski, Iniciativa Qytetare “Shanse për Qendrën”.

“Politika e sotme siç e udhëheqin këta shkel gjithçka vetëm për të arritur tek profiti, nuk shohin tek ndotja. Kjo gjë absolutisht ndalohet shumë vështirë, paratë dhe biznesi nuk kanë mëshirë, shkel çdo gjë.”

Hiç më mirë nuk janë as qytetet tjera si Tetova, Kumanova, Manastiri, Prilepi, Ohri, Shtipi dhe Gostivari, thonë ambientalistët. Nëse dimri është i ftohtë, këto institucione mund të djegin mbi 16.5 milionë litra naftë dhe mbi 4.8 mijë tonë mazut. Shoqatat e mjedisit jetësor thonë se qytetarët do ta paguajnë me xhep 20 milion euro dhe me shëndetin e tyre.