May 25, 2024
Maqedoni

Publikohet Raporti vjetor i BE-së, kritika ndaj gjyqësorit dhe korrupsionit

Maqedonia nuk ka bërë përparim në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, e as në luftën kundër korrupsionit – ky është vlerësimi i Komisionit Evropian në Raportin e fundit për përparimin e vendit. Sipas Brukselit, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe situata është shqetësuese. Rastet gjyqësore për korrupsion të lartë kanë pasur fokusin më të madh në Raport, veçanërisht ato të iniciuara nga Prokuroria Speciale Publike dhe në këtë drejtim nuk kanë munguar kritikat për ndryshimet e fundit në Kodin Penal.

– Advertisements –

“Kodi Penal është ndryshuar me procedurë të përshpejtuar parlamentare. Dënimet maksimale ligjore për vepra të veçanta të lidhura me korrupsionin u reduktuan, me çka kishte implikime në vjetërsimin e lëndëve, dhe kjo ndikoi, madje ndërpreu një numër të madh rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë edhe nga ish-Prokuroria Speciale Publike. Ndryshimet pengojnë gjithashtu mundësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. Kjo është çështje për shqetësim serioz”, thuhet në raportin e KE-së.

Në Raport gjithashtu theksohet se numri i lëndëve gjyqësore të papërfunduara është në rritje. Sipas Komisionit, kjo është veçanërisht e dukshme në rastet e ish-PSP-së dhe si arsye më së shpeshti janë përmendur shtyrja e seancave për arsye shëndetësore të palëve, si dhe ndryshimi i gjykatësve që i udhëheqin lëndët. Për shkak të kësaj situate, siç shtohet në Raport, duhet të ketë përgjegjësi mes gjyqtarëve. Prandaj, sipas Brukselit, duhet të forcohet puna e Këshillit Gjyqësor, puna e të cilit nuk ka marrë fare vlerësime në Raport.

“Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor rezulton me shqetësime për ndikim të papërshtatshëm politik. Në të njëjtën kohë, miratimi i strategjisë së re për reformat në drejtësi zvarritet”, thuhet në Raportin e KE-së.

Komisioni Evropian vlerëson se vendi ka nivel mesatar gatishmërie për zbatimin e standardeve të BE-së në luftën kundër korrupsionit dhe drejtësisë. Në këto fusha komisioni ka përsëritur rekomandimet që ka dhënë vitin e kaluar, pasi siç theksohet nuk janë zbatuar.