May 12, 2024
Maqedoni

Për vërejtjet në raportit të KE-së, pushteti akuzon opozitën

Pushteti akuzon opozitën për vërejtjet në raportin e KE-së për përparimin e vendit. Bujar Osmani thotë se polarizimi politik dhe bllokimi I Kuvendit nga ana e opozitës e ka ngadalësuar procesin reformues të shtetit. Ndërsa shton se, porositë e komisionit nuk i drejtohen vetëm Qeverisë por edhe opozitës që për interesa të vogla politike, ditore kanë bllokuar zgjidhjet reformuese dhe sjelljen e ligjeve vite me radhë.

“Mënyra më e mirë për adresimin e dobësive është përmes hapjes së kapitujve. Prandaj i gjithë mundi ynë siç unë shpesh them, nuk lëmë gur pa lëvizur derisa t’i hapim kapitujt, sepse është mënyra e vetme që t’i adresojmë dobësitë që i ka shteti dhe që eventualisht mund t’i konstatojë raporti. Sipas informatave të mia, nga ajo që i kam prej raportit është se në thelb polarizimi politik dhe bllokimi i Kuvendit e ka ngadalësuar procesin reformues të shtetit….”, deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Për VMRO-në, raporti është dëshmi se pushteti nuk është i fokusuar në agjendën europiane. Marija Miteva nga kjo parti thekson se ky raport është pasqyrim i realitetit të hidhur, pasqyrë e gjendjes së stagnuar.

“Raporti i KE-së tregon dhe konfirmon se pushteti në vend që të punojë dhe të përkushtohet në reforma, po synon qëllimet e gabuara strategjike. Dhe në vend të sundimit të së drejtës, kemi sundim të arbitraritetit. Në vend të reformës së fuqishme kemi institucione të prapambetura, ne kemi institucione të prapambetura. Në vend të përparimit kemi humbje. Pushteti I LSD-së dhe BDI-së është ekspozuar, problemi përse Maqedonia nuk fillon bisedimet, nuk janë marrëveshjet e dëmshme ose ndryshimi I kushtetutës nën diktat të dikujt, por sepse shteti nuk është rregulluar, nuk është reformuar me të vërtetë dhe sepse në vend të ligjit dhe drejtësisë sundon pushteti I ngatërruar në krim dhe korrupsion”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Miteva tha se shqetësuese janë vërejtjet e Komisionit për gjyqësorin, ndërsa thotë se në luftën kundër korrupsionit nuk është arritur asnjë përparim.