Etem Xheladini

Shoqatat shqiptare në diasporë, dikur shtyllë kyçe e politikës kombëtare dhe promotore të veprimtarisë atdhetare, sot duket se janë zbehur në heshtje.
Dhe kjo ndodh në një kohë kur nevojat për organizim, mbështetje dhe përfaqësim janë po aq të mëdha sa në të kaluarën.
Kush mund ta mohojë se ato shoqata nuk ishin promotorë të politikës shqiptare në trojet tona?
Ato jo vetëm që ndihmuan financiarisht proceset vendimtare në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e më gjerë, por ishin edhe urë miqësie me shtetet më të fuqishme të botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Dua ta veçoj këtu Lidhjen Shqiptare në Botë, që ka qenë dhe mbetet një ndër organizimet më të mëdha e më të fuqishme të shqiptarëve në diasporë.
Kam pasur nderin të bashkëpunoj me këtë organizatë në periudhat kur ajo ishte më aktive dhe më pranë nevojave të shqiptarëve në troje tona, në veçanti për çështjen e arsimit shqip në Kumanovë-Likovë, kur unë veproja si kryetar i SHASH-it “Naim Frashëri”., Kumanovë-Likovë.
Në këtë rrugëtim timin pata përkrah kolegë të shquar si: Dr. Sevdail Demiri, Dr. Minir Ademi, Mr. Hakik Jahiu, Prof. Ramadan Aliu, dhe të tjerë.
Merrnim pjesë në konferenca, simpoziume e tryeza që mbështeteshin financiarisht e moralisht nga Lidhja Shqiptare në Botë. Por sot, ajo energji duket se është zbehur. Pse?
Organizatat nuk mund të mbeten vetëm në suazën e diskutimeve akademike, duke grumbulluar tituj dhe shpërndarë kumtesa që rrallë kush i lexon.
Kauza kombëtare nuk mbahet nëpër salla ku fjalët më shumë vlerësohen për stilin sesa për përmbajtjen. Aktivizmi kombëtar kërkon prani, veprim, transparencë dhe popullarizim.
Sot, më shumë se kurrë, shoqatat shqiptare kanë nevojë të bëhen më popullore, më transparente, më të lidhura me rininë. Ato duhet të komunikojnë rregullisht me publikun, të informojnë për veprimtarinë e tyre, të mbajnë lidhje me komunitetin dhe të dëgjojnë zërin e njerëzve në trojet tona.
Kauza shqiptare nuk jeton vetëm në letra e përmbledhje akademike, ajo jeton në veprim të atëdhetarëve, arsimdashësve e humanistëve konkret, në ndërhyrje kur duhet, në mobilizim të komunitetit në momente kyçe.
Kjo është një thirrje dhe një sugjerim i imi miqësor për drejtuesit e Lidhjes Shqiptare në Botë dhe të gjitha shoqatave shqiptare që ndihen pjesë e kësaj përgjegjësie kombëtare.
E them këtë jo si kritik i jashtëm, por si pjesë e asaj Lidhjeje, si një shqiptar që ende beson në fuqinë e organizimit në diasporë.

sqShqip