Sport

Pse salla e shkollës në Likovë mban ngjyrat e Interit? Flet tifozi i flaktë i “neroazurëve” nga kjo komunë!

 

Më 10 qershor 2023 në “Atatürk Olympic Stadium” në Stamboll do të luhet finalja e Ligës së kampionëve ndërmjet Manchester City dhe Interit. E këtë ndeshje të madhe edhe në komunë të Likovës ka të atillë që e presin me emocione të mëdha, shkruan Open-TV.

Avdi Alija nga fshati Likovë i komunës me të njëjtin emër dashurinë që ka për Interin e ka shfaqur në një mënyrë të veçantë. Ai në kohën sa ishte drejtor i SHMK “Ismet Jashari” në Likovë sallën sportive të kësaj shkolle e kishte bërë me ngjyrat e klubit të tij të preferuar.

Për Open-TV, zotëri Avdiu, sot 60 vjecar, tregon se prej kur e simpatizon këtë klub.

 

Formacioni i Interit, kampion në sezonin 1988-1989: W. Zenga, R. Ferri, N. Berti, G. Bergomi (c), A. Serena, L. Matthäus; Ulur:R. Díaz, A. Brehme, A. Bianchi, G. Matteoli, A. Mandorlini.

“Unë si i ri (24 vjeç) një kohë kam punuar në Zvicër. Ka qenë fundi i viteve të 80-ta. Në Zvicër kam pasur një shok italian që ishte tifoz me Juventusin. Ai ishte shumë i flaktë për Juventusin. Unë në atë kohë fillova të ndjek Interin dhe nga ai moment nisi simpatia për këtë klub. Në atë periudhë Interi kishte një ekip shumë të fortë me Zengën në portë, kapiteni Bergomi, gjermani Brehme, pastaj Pasarella, Scifo, Rummenigge, Tardeli, Altobelli, Matteus, ndërsa trajner ishte Trapatoni. Interi në sezonin 1988/89 u bë kampion në Serie A”, rrëfen Avdi Alija, i cili sot punon në bibliotekën e shkollës.

“Po është e vërtetë, gjatë kohës që isha drejtor i shkollës vendosa që ngjyrat e sallës sportive ti vë zi-kaltër. Janë ngjyra të bukura”, vijon Alija.

Ai është i lumtur që Interi i tij do të luaj në finalen e madhe të Ligës së kampionëve, pasi grupin e ka pasur shumë të zorshëm, por edhe rrugëtimin drejt finales së Stambollit. Alija e pranon se ManCity është favorit, por thotë se Interi nuk do të dorëzohet.

“Unë fillimishtë jam i lumtur që Interi është në finale të Ligës së kampionëve. Të kalosh grupin me Barcelonën ka qenë tepër e vështirë. Tash në finale do të jetë edhe më vështirë, sepse do të përballemi me Manchester Cityn, kampion i ri i PremierLigës. City ka qenë një skuadër shumë cilësore dhe është favorit në finale, por kur është në pyetje asnjëherë nuk i dihet. Është vetëm një ndeshje dhe aty mund të ndodh gjithëcka. Finalja luhet në Stamboll, aty ku Hakan Çalhanoğlu do të ketë mbështetjen edhe të tfiozëve turq. Fituesin po e lë të hapur”, deklaron Avdi Alija.

Ai thotë se në familjen e tij edhe djalin e ka tifoz me Interin.

“Djali i jeton në Belgjikë dhe disa herë i ka ndjekur ndeshjet e Interit në stadiumin ‘Giuseppe Meazza’ në Milano. Do Zoti që ndonjë ndeshje ta ndjekim së bashku dhe të shijojmë atmosferën madhështore që krijojnë tifozët e Interit”, thotë ai.

Për në fund, Avdi Alija thotë se nuk do jetë në mundësi që të shkoj në Stamboll për të ndjekur “live” ndeshjen finale ManCity-Inter, por klubin e zemrës do ta shikojë në ambient familjarë. (Open-TV).