Kolumna

Pse Abazoviqi u bë kaq proserb pas vizitave në Shkup dhe Tiranë, ku kisha serbe ka ndikim të fuqishëm?

Urosh Gajeviq
Perëndimi gjatë kohë kishte nevojë për një figurë në Mal të Zi që do t’i jepte fund korrupsionit të azdisur të presidentit të vendit, Millo Gjukanoviq në njërën anë dhe që do shuante ëndërrat e partive proserbe për ribashkim të sërishëm me Serbinë, në anën tjetër.
Kush mund të ishte figurë më e përshtatshme në duart e perëndimit për arritjen e këtyre dy qëllimeve, përveç se një politikani shqiptar, e në rastin konkret , Dritan Abazoviq? Askush!
Abazoviq filloi ta arsyetojë këtë besim të perëndimit. I dha fund pushtetit tre dekadësh të Gjukanoviqit, i cili si shumë politikanë tjerë në Ballkan, shfrytëzonte në mënyrë maestrale politikën deklarative pro-perëndimore, për të kamufluar krimin dhe korrupsionin.
Politika e rrejshme properëndimore, kishte filluar të rrisë euroskepticizmin në mesin e popullatësn ë Mal të Zi, aq më tepër që Gjukanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij çdo takim formal dhe protokollar me përfaqësues të Brukselit e Uashingtonit, përmes makinerisë propagandistike dinte ta shesë para opinionit vendor si përkrahje të perëndimit për politikat e tij korruptive. Abazoviq i dha fund kësaj strategjie të Gjukanoviqit, duke i bë me dije opinionit në Mal të Zi, por edhe mbarë Ballkanin, se politika e korruptuar asnjëherë nuk mund të jetë properëndimore.


Është e vërtetë se i solli në pushtet partitë proserbe. Mirëpo qëllimi ishte i qartë: për tua bërë me dije se ju mund të jeni edhe në opozitë, mund të jeni edhe në qeveri, por harroni se do ta ktheni Malin e Zi nën Serbi! Ky ishte një hap i mirëparamenduar strategjik i Abazoviqit.

Po të qëndronin edhe më tej në opozitë, partitë proserbe vetëm se do të radikalizoheshin edhe më tepër dhe kriza politike mund të esklaonte. Duke u inkuadruar (përkohësisht) në qeveri, ato o treguan të gatshme të bëjnë kompromis në drejtim të njohjes faktike të pavarësisë së Malit të Zi, sepse ishin lodhur duke qenë përjetësisht opozitë e Gjukanoviqit.
Në këtë mënyrë Abazoviq arriti t’i japë goditje politikave ekspansioniste të presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke ia marë nga kontrolli partitë proserbe në Mal të Zi.
Mirëpo botërsisht është e ditur se aty ku dështon politikisht Serbia, me automatizëm kyçet Kisha Ortodokse Serbe. Është strategji që daton nga mesjeta dhe ka vazhduar shekuj me radhë.
Kjo ndodhi edhe në këtë rast, me shugurimin e mitropolitit serb Janakie. Janë ngjarje që tani me dekada shkaktojnë përplasje në Mal të Zi, por kësaj radhe ishin më të theksuara.
Por ajo që habiti opinionin, ishte pozicionimi ekstrem i zëvendës kryeministrit Abazoviq në favor të mitropolitit serb, Jonakies. U pa qartë se ai ka ndryshuar mjaft pas vizitave zyrtare që realizoi në Shkup dhe Tiranë. Ai u tjetërsua gati polotësisht pas vizitave në këto dy kryeqendra besnike ndaj idesë së Vuçiqit për “Minishengen Ballkanik”, e që tani është riemëruar në “Open Balkan”. Janë qendra ku Kisha Ortodokse Serbe ka ndikim të fuqishëm dhe thuhet se asnjëherë nuk kurse miliona për të përkrahur në zgjedhje partitë shqiptare që janë në pushtet. Ndihmë që është rritur edhe më tepër pas fitores së Vetëvendosjes në Kosovë dhe daljes së Prishtinës nga ndikimi i “Botës Serbe” aq të proklamuar nga ministrat serb me pikëpamje mesjetare. E që tashmë e imponon pyetjen “Dritan a je ti?”.

(Analizë e përgatitur me mbështetje financiare të Forumit Ballkanik për Gazetari Moderne, në kuadër të projektit “Gazetaria e guximshme në favor të rrënimit të stereotipeve”)