October 15, 2024
Maqedoni

Protestë në Shkup për vrasjen makabre të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska

Protestë para ndërtesës ku banonte e 14 vjeçarja Vanja Gjorçevska. Në shprehjen e revoltës u bë thirrje për ndryshime ligjore dhe dënime më të rënda për autorët. Protesta u organizua në rrjetet sociale pasi javën e kaluar u zbuluan detajet e vrasjes së tmerrshme .

“Për këtë vepër duhet të miratohet dënim i posaçëm, dënimi më i rreptë, të ndryshohet diçka në ligj”.

“Nëse nuk reagojmë sot, raste të tilla do të përsëriten dhe do të jenë më të mëdha. Duhet të ndryshohet rregullativat ligjore në mënyrë që të ketë dënime më drakoniane për monstrat e tillë”.

“Kjo protestë, e cila ishte thirrje publike për vendosjen e dënimit me vdekje, për të reflektuar respekt ndaj familjes, kjo është për nënën e Vanjës së vogël, sepse duket se nuk ka pasur familje dhe me siguri ka pasur vetëm një prind, momentalisht jemi tre njerëz, turp të kesh Maqedoni”.

Ndërkohë pritet që Turqia të ekstradojë Lupço Palevskin Palço, i dyshuari i parë për vrasjen e Vanja Gjorçevskës nga Shkupi dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga bëri të ditur se ka kontakte joformale me autoritetet turke. Por, ai tha se nuk mund të flasë për datën kur Palevski do të kthehet.

“Presim që relativisht shpejt të sillet në Maqedoni. Megjithatë, le të presim fillimisht nëse ai do t’i përdorë të gjitha mjetet juridike dhe nëse sistemi në Turqi do të lejojë që kjo të ndodhë ashtu siç kemi kërkuar”, deklaroi Krenar Lloga – ministër i Drejtësisë.

Palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për raportet që kanë pasur me Palevskin. VMRO-DPMNE shprehu dyshime për lëshime në hetim, ndërsa socialdemokratët vlerësuan se deklaratat e partisë opozitare po marrin dimension të rrezikshëm.

“Spasovski duhet të përgjigjet, a e ka ditur Ministria e Brendshme, respektivisht a ka pasur mundësi të lokalizojnë automjetin, por nuk është bërë sepse nuk kanë nxjerrë njoftim qendror? E përsëris, pse kur familja e të vrarit Pançe denoncon se ai është zhdukur me automjetin më 22 nëntor, pse nuk ka pasur njoftim qendror?”, tha Dragan Kovacki – deputet i VMRO-DPMNE.

“Nuk ka përgjigje në pyetjet për takimin e Hristijan Mickoskit me Ljupço Paleskin. Çfarë është biseduar në atë takim? Çfarë është dakorduar? Pse heshtet? Mickoski duhet të dalë para qytetarëve dhe të përgjigjet. Përpjekjet për të manipuluar dhe minuar hetimin dhe përhapjen e panikut te qytetarët hapin dyshime serioze për qëllimet e DPMNE-së”, u shpreh Daniella Markovska – deputete e LSDM-së.

Paraprakisht, ekspertët bënë thirrje që rasti të mos politizohet, sepse disa deklarata të politikanëve mund të përdoren nga Palevski për të zvarritur ekstradimin.