May 18, 2024
Maqedoni

Propozohen ndryshime në ligjin e përmbarimit

Ligji për përmbarim do të ndryshohet sërish. Risi do të jetë mundësia që gjërat e sekuestruara nga përmbaruesit të shiten në ankand publik elektronik. Sipas tekstit të ndryshimeve të propozuara që janë aktualisht në regjistrin elektronik ENER, synohet eliminimi i problematikave që hasin përmbaruesit në ekzekutimin e pasurive të patundshme. Palët e interesuara pritet t’i shqyrtojnë amendamentet e propozuara, nëse është e nevojshme t’i përpunojnë dhe pastaj t’i dërgojnë në procedurë parlamentare, shkruan Alsat.

“Në praktikën e përmbaruesve janë shfaqur probleme në përmbarimin e pronave të patundshme kurse zbatimi i teknologjisë digjitale në të gjitha sferat e jetës shoqërore ka imponuar nevojën për vendosjen e tenderit publik elektronik”.

“Sipas asaj që është publikuar, priten ndryshime në Ligjin për Përmbarim në pjesën për paraqitjen e procedurave. Sipas kompetentëve kjo do të jetë në interes të kreditorëve por edhe të përmbaruesve. Aktivistët që kundërshtojnë punën e përmbaruesve thonë se janë njoftuar me ndryshimet e paralajmëruara dhe shtojnë se sërish organet punojnë në favor të përmbaruesve dhe jo në interes të qytetarëve. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve nuk kanë para për të paguar vendimet përmbaruese dhe tani radhën e kanë patundshmëritë e tyre”, shprehet për Alsat aktivisti Marian Risteski.