Maqedoni

Prokuroria i përgjigjet ministrit Lloga: Disa vërejtje për raportin janë të pasakta

Prokuroria publike ka reaguar ndaj ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga në lidhje me vërejtjet e tij për raportinn e punës së prokurorisë gjatë vitit 2022. Sipas prokurorisë disa vërejtje të ministrit janë të pasakta. Nga Prokuroria thonë se nuk është e saktë se në raportin vjetor për punën e prokurorive publike në vitin 2022 nuk ka të dhëna për kohëzgjatjen dhe efikasitetin e procedurave hetuese.

PROPURORIA PUBLIKE

“Në raport thuhet se në vitin 2022, prokuroritë themelore publike kanë lëshuar urdhra për zhvillimin e procedurave hetimore ndaj 1398 personave, që është 91 persona më shumë se një vit më parë. Prokuroritë në vitin 2022 kanë vepruar në hetime të kryera ndaj 768 personave të një viti më parë, kështu që në total kanë pasur hetime ndaj 2166 personave. Për sa i përket shpejtësisë së procedurave hetimore, në vitin 2022 kanë përfunduar hetimet ndaj 1 433 personave ose 66,1% e numrit të përgjithshëm të hetimeve në vazhdim”.

Nga prokuroria sqarojnë se në 1 087 raste hetimet kanë përfunduar me kallëzim penal. Sipas prokurorisë Raporti i Komisionit Europian kërkon me shumë saktësi që Prokurorisë Publike t’i sigurohen të gjitha kushtet materiale për punë.

Sipas tyre, nuk ka raport të veçantë për përdorimin e pajisjeve për regjistrimin zanor dhe audio-vizual të deklaratave, me arsyetimin se një regjistrim i tillë sipas ligjit është mundësi në situata të caktuara me ligj, por jo obligim. Prokuroria pretendon se raporti vjetor për punën e prokurorive publike nuk përmban dhe nuk mund të përmbajë të dhëna për procedurat disiplinore ndaj prokurorëve publikë, sepse këtë procedurë e udhëheq një komision disiplinor, i cili është plotësisht i pavarur në veprimet e tij dhe veprimtaria e të cilit nuk mund dhe nuk duhet të jetë pjesë e raportit për punën e prokurorive publike.