(Foto e krijuar me IA)
Më 18 mars 2025 Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan marrëveshje të përbashkët në aspektin e mbrojtjes.
Marrëveshja, e cila brenda saj ka dhjetëra pika që do të zbatohen në aspektin ushtarak, përfshin edhe atë të investimeve në municion e pajisje ushtarake.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se brenda kornizave të dakordancës, është edhe prodhimi i armëve dhe municioneve.
“Kjo rritje graduale e buxhetit të luftës sigurisht do të shkojë dhe për investime të cilat janë në teknologji, në infrastrukturë, në armatim dhe në këtë kuadër, përkon edhe kjo rritje e buxhetit dhe interesimit për industrinë e Mbrojtjes, ku Shqipëria dhe Kosova krahas që janë armët e lehta, edhe Shqipëria edhe Kosova po përgatiten për të pasur prodhimet e armëve të lehta të cilët i shërbejnë këmbësorisë dhe Forcave të Armatosura”, shprehet njohësi i sigurisë, Fatjon Softa.
Softa vlerëson se kjo marrëveshje ka shqetësuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tij, nëse cenohet siguria e tri vendeve nga Serbia, automatikisht hyn në përdorim neni 5 i NATO-s, pasi Shqipëria është pjesë e saj.
“Një shqetësim i fundit i Vuçiqit ka qenë që frika duke përmendur drejtpërdrejt edhe Shqipërinë sepse në këtë marrëveshje, ne do të jemi në union në rast të një prekjeje të territorit të Kosovës apo të Kroacisë ose Shqipërisë, edhe pse jemi anëtarë të NATO-së do të futej neni 5 i mbrojtjes kolektive”, thotë ai për Teve1.
Në anën tjetër, intensifikimi i kësaj marrëveshje pritet muajt në vijim.
Sipas njohësit të sigurisë, Avni Islami, rëndësia e bashkëpunimit trelateral është e nivelit gjeopolitik dhe sigurisë që përfshin Ballkanin Perëndimor.
“Unë besoj që pas formimit të qeverisë së re, do të vazhdojnë aty ku kanë mbetur punët. Dhe kjo marrëveshje do të vazhdojë edhe më tutje të jetësohet, ngase kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në planin gjeopolitik dhe gjeostrategjik në nivelin e Ballkanit Perëndimor. Në anën tjetër konsideroj se kjo marrëveshje do të sigurojë paqe dhe siguri në planin afatgjatë”, shprehet Islami
Së fundmi, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe homologu i tij, Pirro Vengo nënshkruan marrëveshje për prodhimin e përbashkët të autoblindës ushtarake SHOTA, e cila do të prodhohet përveçse në Shqipëri, edhe në Kosovë.

