Prezantojmë: Sevdail Demiri, gazetar, shkrimtar dhe publicist nga Kumanova
Sevdail F. Demiri, u lind më 20.01.1980 në Kumanovë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin. Studioi albanologjinë dhe historinë në Universitetin e Shkupit, ku u doktorua më 2013 në lëmin e historisë së shtypit shqiptar.
Prej vitit 1997, u mor aktivisht me gazetari, duke punuar si gazetar dhe redaktor në: RTV “Zëri i Kumanovës”, TV “Festa” – Kumanovë, TVM2 – Shkup, gazeta “FAKTI” – Shkup, Tv “Alsat-M” – Shkup, etj.
Menjëherë pas mbrojtjes së doktoratës (2013), u punësua në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh) – Shkup, në departamentin e Historisë, ku së fundi e mori thirrjen këshilltar shkencor – profesor ordinar.
Përpos si ligjërues në studimet pasdiplomike në ITShKSh, u angazhua edhe si profesor universitar në Prishtinë (Kolegji UBT), dhe në Shkup (Universiteti “Nënë Tereza”). Gjatë angazhimit profesional, ka marrë pjesë me tema të ndryshme nëpër shumë konferenca shkencore vendore dhe mbarëkombëtare.
Që në vitet e shkollës fillore e të mesme, dhe më vonë gjatë pjesëmarrjes nëpër manifestime të ndryshme poetike mbarëkombëtare, fitoi disa çmime letrare.
Në dy mandate (2012-2020), ishte kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” në Kumanovë, ku dha një kontribut të çmuar në organizimin e manifestimit tradicional “Takimet Poetike të Karadakut” dhe në botimin e revistës periodike “Doruntina”. Gjithmonë është i angazhuar dhe aktiv nëpër aktivitete të shumta kulturore e shkencore në Shkup, Kumanovë dhe rajon.
Me familjen jeton në Kumanovë.
Sevdail Demiri është autor i disa librave nga sfera e letërsisë, publicistikës dhe historisë:
1. ‘Duke pritur mëngjesin‘ – (poezi), Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2002;
2. ‘Flakadani rezistencës karadakiane’ – (monografi historike), Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2006;
3. ‘Thumbi i fjalës’ – (publicistikë), Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2008;
4. ‘Kufiri i horrave’ – (poezi), Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2013;
5. ‘Vilajeti i Manastirit dhe LKSH në vitet 1911-1912‘ – dokumente bullgare, bashkëautorësi me Skender Asanin, Fondacioni Dauti, Shkup, 2015;
6. ‘Shtypi shqiptar në Maqedoni (1945-1991), aspekti kulturor-arsimor‘, (studim), ITSHKSH, Shkup, 2015;
7. ‘Nëpër telat e kohës‘, (publicistikë), Jehona e Karadakut, Kumanovë, 2016;
8. ‘Variacione historike’, (studime historike), SHHSHM, Shkup, 2017;
9. ‘Shqiptarët në rrjetën diplomatike të Republikës së Maqedonisë (1991-2011)’, (studim), ITSHKSH, Shkup, 2018;
10. ‘Shkupi dhe Kumanova nën pushtimin bullgar (1941-1944), në dritën e dokumenteve shqiptare’ (përmbledhje me dokumente), në bashkëautorësi me S.Asanin, ITSHKSH, Shkup, 2018;
11. ‘Thesare kulturore dhe natyrore të trevës së Kumanovës‘, në bashkëautorësi me N.Halimin, ITSHKSH, Shkup, 2019.
#kultura #arti #njerëzittanë