May 2, 2024
Maqedoni

Bekim Sali dhe Danella Arsovska vizitojnë parkun e Çairit: E kemi për detyrë t’ia kthejmë shkëlqimin e humbur

Kandidati nga radhët e koalicionit opozitar AAA/ASH për komunën e Çairit, Bekim Sali, sot së bashku me kandidaten e pavarur për Qytetin e Shkupit, Danella Arsovska, kanë qëndruar në parkun e Çairit.

Siç thuhet në komunikatën e tyre, detyra e pushtetit të ri lokal do të jetë shpëtimi i parkut nga uzurpimet dhe rikthimi i gjelbërimit që ka pasur.

“Sot, bashkë me kandidaten e pavarur për Qytetin e Shkupit, znj. Danela Arsovska, të shoqëruar edhe nga familjet tona, e vizituam parkun e vetëm në Çair, i cili përveç që po rrudhet nga uzurpimet që ia bëjnë nga të katër anët, çdo ditë e më tepër po rrënohet për shkak të pakujdesisë së autoriteteve të Komunës së Çairit. Pavarësisht se ata flasin për gjelbërim, të prirë që ta dëshmojnë veten përmes betonit, këtë hapësirë dikur të gjelbër e kanë shndërruar në një ngushticë që dita-ditës po shkërmoqet.

Prandaj ne bashkërisht konstatuam se mbetet detyrë e jona e përbashkët që parkun e Çairit ta shpëtojmë nga uzurpimet dhe t’ia kthejmë gjelbërimin e shkëlqimin që e ka pasur, në mënyrë që ai të jetë jo vetëm një vend argëtimi e relaksimi, por edhe një kënd i gjelbër ku ne me familjet tona do të vijmë të çlodhemi e të takojmë miqtë, por edhe hapësirë ku fëmijët tanë do të kenë dëshirë për të ardhur gjithnjë.

Pas kësaj vizite u ulëm për t’u freskuar në një nga lokalet e Çairit, që edhe Danela ta ndjejë mikpritjen e Çairit, sepse është e njohur se “Shkupi është romantikë Çairi. Për një Çair të ri…”, thuhet në njoftimin e publikuar në facebook.