Kulturë

Ekspozita e Lulzime Osmanit vlerësohet nga artistët

Artisja Lulzime Osmani realizoi ekspozitën e saj të radhës të quajtur “Forcë artistike”. Kjo ekspozitë ishte personale, me 9 punime gjigande të punuara me teknikën akril në pëlhurë. Kryesisht veprat ishin të përmasave të mëdha kurse më e madhja ishte 200 me 170cm.

Osmani falënderoi të pranishmit dhe kujtoi se ekspozita është e hapur në Shtëpinë e Kulturës në Gostivar gjatë gjithë kësaj jave.

“Sfidat me të cilat jam përballur si artiste kryesisht e re jam duke i tejkaluar një nga një dhe jam shumë mirënjohëse për mbështetjen që më jepet vazhdimisht. Edhe pse do të doja që të ketë më shumë interesim në vendin tonë për artin pamor dhe artistët e rinj, përsëri jam e lumtur kur shoh se ka njerëz që e vlerësojnë punën e artistëve dhe i motivojnë ato”, tha Osmani pas ekspozitës.

Profesori i artit Reshat Ameti deklaroi se puna e Osmanit vlerësohet në mesin e artistëve.

“Veprat që ajo i prezanton në Qendrën për Kulturë në Gostivar, argumentojnë se bëhet fjalë për një artiste me energji dhe kreativitet të pasur artistik. Pikturat janë realizuar me lëvizje gjestikulative (që na kujtojnë piktorin e famshëm amerikan; Jackson Pollock), gjithmonë në lëvizje konstante, kompozicioni është i hapur dhe dinamik, koloriteti është i pasur, ekspresiv, gati se në çdo vepër paraqitet një lëvizje dominante në ngjyrë të zezë dhe në ngjyrë tjetër, që duket se ka rolin e “valltarit nismëtar” të një vallëzimi dinamik koloristik. Lëvizjet e brushës janë të shpejta dhe në shumë raste me kahje rrethore, lakuese por edhe të llojllojshme. Për ta përforcuar idenë artistike dhe për t’i dhënë pikturës një zë më të lartë, ajo përdor edhe koloritet me kontrast komplementar”, deklaroi Ameti.

Më poshtë janë disa nga krijimet artistike që janë pjesë e ekspozitës.

Lulzime Osmani ka doktoruar për grafikë.