May 6, 2024
MaqedoniSport

Presidenti Pendarovski tifozi më i flaktë në ndeshjen Maqedoni e Veriut-Itali: Bravo djelmosha!

Një shqiptar i prish debutimin Luciano Spallettit, Italia ngec ndaj Maqedonisë së Veriut. “Perla” e Enis Bardhit nga goditja e lirë në minutën e 81-të, i mohoi fitoren përfaqësueses së kaltër, që e kishte zhbllokuar takimin që në minutën e 47-të me kapitenin Ciro Immobile.

Një barazim që nuk i vlejti asnjërës skuadër, pasi Italia, shkon në kuotën e katër pikëve, duke mos përfituar nga rezultati 1-1 që u shënua mes Ukrainës dhe Anglisë.

Katër futbollistë shqiptarë luajtën titullarë në radhët e Maqedonisë së Veriut (Bardhi, Alioski, Elezi dhe Musliu), ndërsa Alimi u aktivizua në pjesën e dytë.

Skuadra e kaltër jo vetëm që nuk arrin të hakmerret për atë eliminim të turpshëm në play off-in e Botërorit, por komplikon seriozisht situatën në Grupin C, ku ka marrë një fitore, një barazim dhe një humbje.

E një ndër tifozët më të flaktë, siç tregon foto, ka qenë presidenti i vendit fqinj, Stevo Pendarovski.

Ai është treguar më se i lumtur nga barazimi i kombëtares së Maqedonisë së Veriut kundër superfuqisë botërore në futboll, siç është Italia.
“Bravo djelmosha”, ka shkruar ai pas ndeshjes, duke e cilesuar si të shkëlqyeshme.

Me të njëjtin rezultat 1-1 u mbyll sfida e Grupit I mes Rumanisë dhe Izraelit.