Presidenti i Malit të Zi: Së pari zgjedhjet në veri, pastaj të themelohet Asociacioni
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka thënë se për t’u qetësuar situata në veri të Kosovës, duhet sipas tij, fillimisht të mbahen zgjedhjet dhe më pas të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Milatoviq në një intervistë të dhënë për mediumin austriak “Der Standard”, mes tjerash ka potencuar se sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it ishte i papranueshëm.
“Sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it ishte absolutisht i papranueshëm. Në fund të fundit, këta ushtarë kanë bërë një punë mjaft të mirë në mbrojtjen e një pjese të trashëgimisë së kishës serbe në Kosovë, e cila është gjithashtu një lidhje e rëndësishme për popullin e Malit të Zi, pasi shumica e njerëzve në Mal të Zi janë gjithashtu besimtarë të Kishës Serbe. Për të përmirësuar situatën duhet të mbahen zgjedhje të reja në komunat veriore të Kosovës. Dhe Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Milatoviq.
Ndërsa, kur u pyet se së pari cila duhet të jetë zgjidhja, ai potencoi se fillimisht duhet të mbahen zgjedhjet.