May 11, 2024
Rajon - Botë

Mediat izraelite: Lirimi i pengjeve do të fillojë në orën 10 të mëngjesit

Lirimi i pengjeve izraelite nga Rripi i Gazës pritet të fillojë në ora 10 të mëngjesit me orën lokale (08:00 GMT) pas shkëmbimit të listave të njerëzve që do të lirohen nga secila palë dhe do të dorëzohen përmes Kryqit të Kuq, transmeton Anadolu.

Duke cituar një zyrtar të paidentifikuar, Autoriteti i Transmetimit Izraelit raportoi se “sipas kornizës së marrëveshjes, Izraeli përmes Kryqit të Kuq do të marrë çdo mbrëmje një listë të pengjeve që do të lirohen të nesërmen”.

Burimi shtoi se procesi për lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës do të fillojë në ora 10 të mëngjesit me orën lokale çdo ditë.

“Si përgjigje, Izraeli do t’i japë organizatës një listë të të burgosurve të sigurisë (të burgosurve palestinezë) që do të lirohen të nesërmen”, tha burimi.

Dje, Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin arritur marrëveshje për një pauzë humanitare katër-ditore, ndërsa data e fillimit pritet të shpallet brenda 24 orëve.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, ajo do të përfshijë një armëpushim katër-ditor, hyrjen e 300 kamionëve me ndihma humanitare në Gaza, përfshirë edhe karburantin, si dhe lirimin e 50 izraelitëve që mbahen nga Hamasi në këmbim të 150 palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite.

“Familjet e të rrëmbyerve që priten të lirohen nuk do të njoftohen mbrëmjen e sotme (të mërkurën) për të shmangur shqetësimet e tyre, në rast se Hamasi nuk i përmbush premtimet e tij”, tha media izraelite, duke cituar burimin zyrtar.

“Pengjet e liruara do t’i dorëzohen Kryqit të Kuq, pastaj do të hyjnë në Izrael përmes vendkalimit Rafah dhe vetëm atëherë Izraeli do t’i lirojë të burgosurit (pengjet palestineze)”, tha burimi.

Lidhur me të burgosurit palestinezë që përfshihen në marrëveshje, zyrtari tha se, “Izraeli do të përcaktojë çdo ditë që të burgosurit palestinezë të lirohen nga burgjet, në një normë prej tre të burgosurish për çdo peng izraelit”.

Ai tha se çfarëdo përdorimi i armëve të zjarrit do të konsiderohet shkelje e marrëveshjes, por nuk është e sigurt që marrëveshja do të ndërpritet.

Dje, Ministria izraelite e Drejtësisë publikoi emrat e 300 të burgosurve palestinezë, përfshirë të mitur dhe gra, të cilët plotësojnë kriteret për lirim sipas marrëveshjes së shkëmbimit.

Në fillim të ditës, qeveria izraelite miratoi marrëveshjen për pauzë humanitare me Hamasin, e cila u arrit me ndërmjetësimin e Katarit, Egjiptit dhe SHBA-së.