May 20, 2024
Maqedoni

Presidenti bullgar: Ndryshimet Kushtetuese nuk janë kushti i vetëm për Maqedoninë e Veriut

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë është vetëm një kusht paraprak për fillimin e negociatave për anëtarësim të vendit në BE dhe kjo nuk i shter kushtet që Maqedonia duhet t’i plotësojë.

Kështu thotë presidenti bullgar Rumen Radev në një letër drejtuar liderëve dhe institucioneve evropiane, përmes së cilës apelon që pranimi i vendit në BE të bëhet në bazë të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, e jo në bazë të politikave lobuese.

Në letrën Radev thekson se gjithmonë e ka shprehur dhe mbrojtur qëndrimin parimor të Bullgarisë për mbështetjen e vazhdueshme të integrimeve evropiane të Maqedonisë.

“Në të njëjtën kohë, shteti bullgar gjithmonë ka theksuar parimet kryesore mbi të cilat bazohet procesi i zgjerimit të BE-së, ato të meritave të veta dhe përmbushjes së kritereve të anëtarësimit përmes reformave gjithëpërfshirëse socio-politike. Prandaj, duke pasur parasysh barrën komplekse historike të rajonit tonë, në këtë proces ka një fokus të veçantë në çështjen e respektimit të parimeve të fqinjësisë së mirë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në letër, transmeton News.bg.