Presidencialet/parlamentaret, komision i KE-së do t’i vëzhgojë zgjedhjet
Zgjedhjet e dyfishta në vend nën lupën e komisionit ad-hog të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës. Anëtarë e këtij komisioni sot takuan kryeparlamentarin Jovan Mitreski ku thanë se do të bëjnë monitorimin e përgatitjeve të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare si dhe do të jenë të pranishëm edhe kur do të votohet.
“Komisioni ad-hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare do të monitorojë proceset zgjedhore me 22 deputetë, të cilët do të jenë të pranishëm në vend ditën e votimit, më 24 prill dhe 8 maj dhe raporti i tyre do të prezantohet gjatë sesionit të qershorit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, është shprehur Alfred Herr kryetar i komisionit.
Kryeparlamentari Mitreski siguroi anëtarët e komisionit vëzhgues të zgjedhjeve se Kuvendi në periudhën e kaluar i ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, në kuadër të kompetencave që ka, për të siguruar kushtet për zhvillimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.
“Me zgjedhjen e anëtarit të shtatë është kompletuar përbërja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, është miratuar Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Kodit Zgjedhor, duke zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.”, është shprehur Mitreski.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për koalicionet parazgjedhore si dhe për çështjet që do të dominonin fushatat zgjedhore. Fushata zgjedhore për presidencialet nis më 4 prill dhe për më pak se një muaj i bashkangjitet dhe fushata e zgjedhjeve parlamentare