Tregtarët e derivateve të naftës në Kumanovë e rrethinë pritet të kenë profit të shtuar gjatë muajit janar, sepse pas vitit të ri veçmë pritet të ndjehen më tepër në Serbi pasojat pasojat e mbylljes së rafinerisë serbe të naftës NIS në Pançevë, si rezultat i sanskioneve amerikane ndaj Rusisë.
Siç është e ditur Serbia nuk ka marrë leje që Industria e Naftës së Serbisë (NIS) të vazhdojë funksionimin, pas së cilës lejoi mbylljen e rafinerisë në Pançevë.

Sado që autoritetet serbe sigurojnë qytetarët e tyre se kjo nuk do të ndikon në furnizimin e tyre me derivate, megjithatë ekspertët e pavarur janë të sigurt se kriza është e pashmangshme dhe se e vetmja dilemë është se në çfarë mase do të ndjehet kjo krizë, respektivisht nëse do ketë vetëm rritje çmimesh, apo edhe mungesë derivatesh në tregun serb.

“Sipas parashikimeve tona fluksi i parë që do të vijnë për tu furnizuar me karburnate në vendin tonë, do të jenë qytetarët e Luginës së Preshevës, respektivisht nga Presheva e Bujanoci, si rajon që është më afër Kumanovës. Për shkak të afërsisë, ata do të vijnë edhe vetëm nëse ka rritje çmimesh, e jo mungesë. Por nëse ndodh të ketë edhe mungesë derivatesh në Serbi, atëjherë me siguri do të vijnë blerës edhe nga qytete tjera si Vranja, e madje edhe Leskovci, si dhe nga qyteza tjera afër kufirit“, shprehet pronari i një pompe të benzinës në Kumanovë.
Sipas tij, fluksi i parë mund të vijë që nga fundi i muajit dhjetor, por në janar do të jetë i pashmangshëm.
“Kuptohet disa gjëra varen edhe nga faktorë tjerë, respektivisht nëse dikush tjetër do e blejë rafinerinë serbe, e siç e dimë për momentin më e interesuar është Hungaria“, thekson ai.

A mund që kriza e derivateve në Serbi të shkakton krizë edhe në Maqedoninë e Veriut, ose rritje të çmimeve? Ekspertët thonë se kjo nuk do të ndodhë, sepse problemi në Serbi është i izoluar
për shkak të raporteve të afërta që kanë me Rusinë, kurse furnizimet në pjesën tjetër të kontinentit Evropian janë normale.

Për momentin efekti i vetëm që kanë sanskionet merikane ndaj naftës ruse në Maqedoninë e Veriut është fati i pompave të benzinës në pronësi të Lukoil“it rus dhe punëtorëve të punësuar në to.
I pyetur para ca kohe nëse Maqedonia e Veriut do ta furnizon Serbinë me derifate, kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj se “nuk jemi shoqatë aksionare“./Lideri.mk

sqShqip