Policia e Strumicës ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Strumicës kundër K.K. (Kostadin Kostadinov) (35) nga Strumica për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i procedurës së tenderit publik, dhënies së një kontrate për prokurim publik ose partneritetit publik-privat”, kundër D.P.S. (61) nga Strumica, K.B. (37) nga Bogdanci, L.J. (63) nga fshati Novo Selo, Strumica dhe L.G. (62) nga Strumica për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “kryerje e pakujdesshme e detyrës” dhe kundër G.P. (58) nga Shkupi për shkak të dyshimit se ka ndihmuar në kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i procedurës së tenderit publik, dhënies së një kontrate për prokurim publik ose partneritetit publik-privat” dhe “kryerje e pakujdesshme e detyrës”. I pandehuri K.K., në cilësinë e ish-kryetarit të komunës së Strumicës, ka shkelur rregullat e procedurës së prokurimit publik për autobusë elektrikë për nevojat e NJSP “Strumica-Transport” nga Strumica duke angazhuar të pandehurin G.P. si personin përgjegjës për t’iu përgjigjur pyetjeve teknike, për të marrë pjesë në vlerësimin teknik të ofertave, për të mbikëqyrur zbatimin dhe realizimin e plotë të kontratës, megjithëse nuk i posedonte kualifikimet e nevojshme profesionale dhe licencën e kërkuar A për mbikëqyrje në fushën e inxhinierisë elektrike të lëshuar nga Dhoma e Arkitektëve të Çertifikuar dhe Inxhinierëve të Çertifikuar. Gjithashtu, i pandehuri K.K. me vetëdije ka shkelur rregullat e procedurës së prokurimit publik duke rënë dakord me G.P. në atë mënyrë që dokumentacioni i tenderit të rendiste specifikime që në mënyrë të qartë dhe pothuajse identike korrespondonin saktësisht me specifikimet e autobusëve elektrikë të blerë.

sqShqip