May 20, 2024
Maqedoni

Policia e Tetovës: Fronti Europian ka dërguar më herët kërkesë për tubim në sheshin “Iliria” në Tetovë

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se Fronti Europian më herët se VLEN ka dërguar kërkesë për mbajtjen e tubimit më 6 maj në Tetovë, përcjell TV21. Nga SPB-Tetovë thonë se kërkesa e VLEN është dërguar më 22 prill, ndërsa për këtë policia ka kontaktuar VLEN për caktim të takimit për koordinim, por që sipas SPB-Tetovë, nuk kanë marrë përgjigje.

“Lidhur me mbajtjen e tubimit parazgjedhor më datë 06.05.2024 në sheshin “Iliria” në Tetovë, është dërguar kërkesë deri në SPB Tetovë më 12.04.2024 nga Koalicioni “Fronti Evropian”, dhe më 22.04. 2024 është dërguar një kërkesë nga Koalicioni “Vlen”. Për shkak të pamundësisë së mbajtjes së të dyja ngjarjeve në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, nga SPB Tetovë koalicionit “Vlen” i është dërguar një dokument me shkrim dhe janë tentuar që të caktohet një takim koordinues, por nuk kemi marrë përgjigje deri tani. Gjithashtu ju njoftojmë se në lidhje me rastin konkret po vepron Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Penale dhe Standardeve Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nëse konstatohet sjellje e papërshtatshme do të njoftohet publiku”, thuhet në njoftimin e SPB-Tetovë.