Policia e Kosovës është bërë sot me 41 vetura të reja, të cilat do t’i shërbejnë njësiteve patrulluese në të gjitha drejtoritë rajonale, në kuadër të rritjes së kapaciteteve operacionale dhe afërsisë me qytetarët.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, tha se pajisja me automjete shtesë është pjesë e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik.

“Me këto automjete po forcojmë qasjen tonë proaktive dhe po garantojmë reagim më të shpejtë ndaj kërkesave të qytetarëve,” u shpreh Hoxha gjatë ceremonisë së dorëzimit.

Nga 41 veturat e reja, 35 janë limuzina përfshirë ato Hybride, ndërsa gjashtë të tjera janë xhipa të destinuar për zonat që kërkojnë qasje të vështirë dhe mbulim më të gjerë patrullues.

“Qëllimi ynë është që policët patrullues të kenë mjetet e nevojshme për të qenë aty ku qytetarët kanë nevojë për ta,” shtoi Hoxha.

Sipas menaxhmentit të Policisë së Kosovës, investimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe besueshmërisë së institucionit.

“Kjo është një dëshmi e përkushtimit tonë për bashkëpunim më të fortë me komunitetin dhe komunikim më efektiv,” theksoi Hoxha.

sqShqip