Maqedoni

Petrovska: Është dorëzuar lista e re për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, Shtabi i Përgjithshëm është duke e shqyrtuar

Pak javë më parë u dorëzua lista e re për ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, e cila është ende objekt analize në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Nëse mund të përgjigjemi pozitivisht, lista menjëherë do t’i dorëzohet Qeverisë dhe do të miratohet, informoi ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.

Ajo theksoi se Ukraina ka nevojë për të gjitha llojet e pajisjeve.

“Ata kanë nevojë për të gjitha llojet e armatimeve, sepse në varësi të planeve të tyre për kryerjen e operacioneve tokësore dhe ujore, ata kërkojnë nga ne një lloj pajisjeje të tillë”, tha ministrja.

Ajo shtoi se deri më tani janë dhuruar 12 helikopterë, të cilët tha se nuk do të tjetërsohen derisa të arrihet një marrëveshje dhe të sillen tetë helikopterët e rinj në vendin tonë.

Ministrja ka theksuar se ende nuk dihet se nga do të blihen, pasi disa nga ofertat e dorëzuara janë duke u shqyrtuar.

Petrovska paralajmëroi edhe blerjen e dronëve ushtarakë.

“Dronët janë pjesë e teknologjisë më të fundit që mund të përdoren, ndër të tjera, për luftë dhe për mbrojtjen dhe garantimin e mbrojtjes së një vendi. Është prezantuar analiza nga Shtabi i Përgjithshëm i Armatës së Maqedonisë, tashmë po punohet në saktësimin e dronëve dhe deri në çfarë mase duhet të sigurohen dhe si do të inkorporohen të gjithë në sistemin tonë. Në fund të këtij viti pres që ekipi i formuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë të dalë me propozim konkret për prokurimin e dronëve”, tha Petrovska.

Rikujtojmë se deri më tani Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar se Ukrainës i janë dhuruar tanke, pajisje ushtarake, si dhe 12 helikopterë Mi-24.