Maqedoni

Petkov po lëshon pe, fillimisht hiqet vetoja, pastaj plotësohen kushtet bullgare?

Pozicione të reja nga Sofja. Kryeministri bullgar Kiril Petkov, mendon se Bullgaria nuk duhet ta heqë atë, por ta zhvendosë veton ndaj Maqedonisë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, por me kusht. Petkov në një intervistë për televizionin bullgar Nova thotë se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Evropës është në interes të Bullgarisë, por të garantohen të drejtat e bullgarëve.

Ai kërkon ndryshime në Kushtetutë që do të përfshinte bullgarët përpara hapjes së kapitullit të parë me Bashkimin Evropian.

“Nëse të drejtat e bullgarëve me ndryshimin e Kushtetutës garantohen nga Bashkimi Evropian, me fjalë të tjera ndryshimi nuk duhet të jetë që Bullgaria lutet që të ndodhë, por ajo të jetë pjesë e paketës së masave të përfshira në Marrëveshjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe detyra e tyre është ta ndryshojnë Kushtetutën, në rrugën drejt Evropës”, tha Kiril Petkov, Kryeministër i Bullgarisë.

Deri më tani, Bullgaria insistonte që Kushtetuta e Maqedonisë të hapet para fillimit të negociatave me BE-në. Ndryshe, teksti aktual i kornizës negociuese nuk përfshin kërkesë për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, dhe Petkov tani kërkon që Shkupi dhe Brukseli ta zyrtarizojnë atë. Petkov thotë se ka marrë konfirmim, nga kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen se partnerët evropianë janë të gatshëm të jenë garantues për pozitat bullgare në Maqedoni. Sipas Petkovit, ky hap duhet të dakordohet me qeverinë aktuale të udhëhequr nga Kovaçevski.

“Nuk duhet të presim që dikush ta kryejë punën tonë. Gjëja më e marrëzishme që do të bënim tani, për mendimin tim dhe kundër interesit bullgar, është të pengohemi. Për shembull, ne duam që të gjitha gjërat që i ëndërrojmë të ndodhin përpara se të hiqet vetoja. Më pas, me shumë gjasa, forcat nacionaliste në Maqedoninë e Veriut do të marrin pushtetin atje dhe atëherë shanset e interesit bullgar do të jenë afër zeros. Tani kemi një qeveri normale në Maqedoninë e Veriut dhe ajo është e gatshme të marrë përgjegjësitë e saj përmes një marrëveshjeje evropiane”, u shpreh ai.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ditë më parë tha se çështjet me Bullgarinë duhet të zgjidhen me dialog dhe mirëkuptim, por të mbeten jashtë procesit të anëtarësimit./ Alsat.mk