Kryeministri i ri në ardhje i Hungarisë, Peter Magyar ka dërguar një mesazh të ashpër ndaj ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski, duke paralajmëruar ndryshime radikale në politikën e azilit pasi erdhi në pushtet.
Magyar, në paraqitjen e tij të fundit publike, ishte i prerë se Hungaria nën udhëheqjen e tij do të ndalojë mbrojtjen e politikanëve të huaj me të kaluar kriminale.
“Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelë ndërkombëtarë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për zotin Nikola Gruevski, ish-kryeministër i Maqedonisë, i cili gjithashtu është i dënuar”, deklaroi Magyar në një prononcim për media, një ditë pasi fitoi bindshëm ndaj Viktor Orbán në zgjedhjet në Hungari, sipas një videoje të publikuar nga Reuters.
“Mos blini mobilje, nuk do të qëndroni gjatë”
Në mënyrë ironike, ai u dërgoi mesazh edhe politikanëve që aktualisht gëzojnë mbrojtje nga qeveria e Viktor Orbán, përfshirë politikanët polakë Zhigrov dhe Romanovski, duke theksuar se qëndrimi i tyre në Hungari është i përkohshëm.
Ai theksoi se, në frymën e bashkëpunimit evropian, të gjithë personat me vendime të formës së prerë do të ekstradohen në vendet e tyre të origjinës.
Magyar shtoi se i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët hungarezë që mund të tentojnë t’i shmangen drejtësisë duke u arratisur jashtë vendit.
Fund “parajsës për të arratisurit nga drejtësia”
Kjo deklaratë vjen në një kohë debatesh të forta në Hungari për keqpërdorimin e institucioneve të azilit për mbrojtjen e aleatëve politikë të pushtetit aktual.
Magyar nënvizoi se është e domosdoshme që këta persona “të kthehen në shtëpi dhe të përballen me qytetarët”, në mënyrë që të pastrojnë emrin e tyre përmes një sistemi të pavarur gjyqësor.
Sa i përket rastit të Gruevskit, i cili mori azil politik në Budapest në vitin 2018 për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg në Maqedonia e Veriut, Magyar ishte i qartë: “Do të gjejmë mënyrë për t’i ekstraduar.”

