Me 8 vota pro, anëtarët e Komisionit për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve miratuan propozim-vendimin për emërimin e Petar Gajdovit, drejtor të Agjencisë për Qasje të lirë në Informacione Publike, ndërsa për zëvendësdrejtor do të shpallet konkurs i ri. Në garë për zëvendësdrejtor janë paraqitur kandidatët: Fatmir Zimberi dhe Ismed Selmani. Ndërkohë, Mile Stojanovski dhe Pllamenka Bojçeva kanë aplikuar për të dyja pozitat – si drejtor, ashtu edhe zëvendësdrejtor.
Agjencia për Qasje në Informacione Publike ka mbetur pa udhëheqje që nga 25 dhjetori i vitit të kaluar, kur përfundoi mandati i drejtoreshës së atëhershme. Situata u ndërlikua më tej pasi edhe zëvendësdrejtori Blerim Hyseni kaloi në një funksion tjetër publik, duke e lënë institucionin pa drejtues. Me emërimin e drejtorit të ri pritet të zhbllokohet funksionimi i Agjencisë.

