Etem Xheladini
Pesha e librit është një aset i pakrahasueshëm, një thesar që ruan vlerat e individit dhe të shoqërisë për aq kohë sa të ekzistojë kjo botë. Asgjë nuk është më e qëndrueshme se fjala e shkruar, asgjë nuk ka më fuqi se e vërteta e përjetësuar në faqe libri. Ajo që njeriu e sheh, e jeton dhe e ndien, mund të zbehet me kohën, por ajo që shkruhet, mbetet, sfidon harresën, sfidon errësirën, sfidon kohën.
Njeriu i mban në mend kujtimet e veta vetëm për aq kohë sa frymon, por libri i ruan ato për aq kohë sa frymon njerëzimi. Libri është kujtesa jonë kolektive, arkivi ynë shpirtëror, dëshmia jonë e përjetshme. Ai ruan dhimbjet që njeriu s’do t’i harrojë, por edhe gëzimet që një popull nuk duhet t’i lërë të humbasin. Ruajtja e së kaluarës nuk është luks, është domosdoshmëri, është detyrim moral e kombëtar.
Prandaj, nuk thuhet kot se historinë nuk duhet ta lëmë ta shkruajnë të tjerët. Historia e shkruar nga të huajt është shpesh e cunguar, e shtrembëruar ose e veshur me interesat e tyre. Ne duhet ta shkruajmë vetë, me dorën tonë, me gjakun tonë, me përjetimin tonë. Ta shkruajmë në kohë, me saktësi, me ndershmëri. Sepse kush ia dorëzon tjetrit të drejtën për të shkruar historinë e vet, ia jep atij edhe të drejtën për ta deformuar identitetin, për t’ia zbehur sakrificat, për t’ia rrëfyer të kaluarën ashtu si atij i leverdis.
Kujtojmë shpesh shprehjen e njohur: kush e harron të kaluarën, ajo i përsëritet. Kjo nuk është thjesht një frazë, është një paralajmërim i rëndë. Popujt që harrojnë, zhduken. Popujt që nuk mbajnë shënime, bien viktimë e atyre që shkruajnë për ta. Popujt që nuk lexojnë, bëhen pre e manipulimit. Ndaj leximi i së kaluarës nuk është vetëm akt kulturor, por akt vetëmbrojtjeje, ndërgjegjësimi dhe ndërtimi.
Sa më shumë të lexojmë historinë tonë, aq më mirë e njohim veten. Sa më fort të përballemi me të vërtetat e hidhura, aq më të fortë bëhemi si komb. Sepse vetëm ai që e njeh rrënjën, e di drejtimin e degës. Vetëm ai që e di sa ka sakrifikuar, e di sa vlen. Vetëm ai që e njeh të kaluarën, e ndërton me dinjitet të ardhmen.
I mjerë është ai që tradhton interesat kombëtare për interesa personale, për privilegje të vogla a përfitime të përkohshme. Historia i ka dënuar gjithmonë tradhtarët, dhe do i dënojë gjithmonë. Ata që shesin të vërtetën, ata që vihen në shërbim të armiqve, ata që këmbejnë fatin e popullit me privilegje të tyre, nuk do t’i gjykojë vetëm populli. Do t’i gjykojë edhe koha, edhe brezat, edhe Perëndia. Sepse Zoti nuk mund ta bekojë atë që e mallkon atdheu i vet.
Libri, pra, nuk është vetëm objekt. Ai është amanet. Ai është barrë e shenjtë. Ai është dëshmi e së shkuarës, mësim për të tashmen e për të ardhmen është dritë.
Një popull që shkruan, është popull që jeton. Një popull që lexon, është popull që ngrihet. Një popull që kujton, është popull që nuk mund të mposhtet kurrë.

