Policia ka arrestuar një 19-vjeçar dhe një 13-vjeçar nga Shkupi, pas një përleshjeje fizike në Çair, ku tre persona janë plagosur me thikë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht, rreth orës 22:00, në territorin e Çairit.

“Më 01.09.2026, zyrtarë policorë nga Njësia për Krim të Dhunshëm pranë SPB Shkup i kanë privuar nga liria B.I. (19) dhe një 13-vjeçar, të dy nga Shkupi, duke vepruar pas një denoncimi se më 31.08.2026 rreth orës 22:00 në territorin e Çairit ka ndodhur një përleshje fizike”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Sipas policisë, përleshja ka ndodhur mes dy personave nga njëra anë dhe I.Z. (19), një 13-vjeçari dhe një 16-vjeçari, të gjithë nga Shkupi, nga ana tjetër.

" "

“Gjatë përleshjes, 13-vjeçari i arrestuar, me thikë u ka shkaktuar plagë shpuese tre personave nga pala tjetër”, thuhet më tej në njoftim.

I.Z. dhe 13-vjeçari kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa 16-vjeçari ka marrë lëndime trupore.

Policia ka kryer këqyrje në vendin e ngjarjes, ndërsa për procedurë të mëtejshme janë sekuestruar tri thika, një shkop gome dhe sende të tjera.

“Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup do të dorëzohet kallëzim penal”, njofton MPB-ja.

sqShqip