May 19, 2024
BallinaMaqedoni

Përkujtohet ditëlindja e Skënderbeut

Ditëlindja e 619-të e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, u përkujtua në Lezhë me veprimtari muzikore e letrare.

Pjesë e aktiviteti përkujtimor kushtuar figurës së Skënderbeut që u mbajt në memorialin e tij në Lezhë, ishin autoritete lokale, qytetarë dhe nxënës shkollash.

Teksa folën për figurën e Gjergj Kastriotit autoritet lokale u nënvizuan se veprimtaria e heroit kombëtar duhet të jetë burim frymëzimi edhe në ditët e sotme.

“Ai udhëhoqi popullin në kohërat më të vështira. Dita e lindjes e Gjergj Kastriotit është një rast për të reflektuar mbi trashëgiminë dhe vlerat e tij”, tha  Eueda Molla Nënkryetare e Bashkisë Lezhë.

“Ai nuk diti vetëm të luftonte, por edhe të ishte një diplomat”, u shpreh Hasan Muça, Drejtor i DRAP – Lezhë.

“Mund t’i them jo vetëm hero kombëtar por edhe ndërkombëtar, pasi janë vendosur shtatore të tij edhe në shumë vende të Evropës si Itali, Hungari plus në Gjakovë. Priten të vendosen dhe monumente të tjera. E veçanta e këtij viti ka marrë një jehonë të jashtëzakonshme”, tha Paulin Zefi Përgjegjës i Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Lezhë.

Në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga Bashkia Lezhë ra në sy mungesa e autoriteteve qendrore.

Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastrioti dhe ndërroi jetë në moshën 63 vjeçare, më 17 janar të 1468.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osman duke shënuar një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare./TVM2