Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, gjatë vizitës së punës në Komunën e Petrovecit theksoi se, krahas mbështetjes financiare, komunat po marrin edhe ndihmë profesionale për forcimin e kapaciteteve administrative dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Në takimin me kryetarin e komunës, Borçe Mitevski, anëtarët e Këshillit dhe administratën komunale, u diskutuan nevojat dhe sfidat aktuale me të cilat përballet komuna, si dhe mundësitë që ofron Qendra e Burimeve për Mbështetjen e Komunave.

Vëmendje e veçantë iu kushtua përditësimit të bazave të të dhënave të tatimpaguesve, si një proces kyç për rritjen e të hyrave vetanake të komunave dhe sigurimin e një financimi më të qëndrueshëm lokal. Gjithashtu u diskutuan mekanizmat dhe mjetet që u mundësojnë komunave planifikim dhe realizim më efikas të politikave dhe projekteve zhvillimore.

“Komunikimi i drejtpërdrejtë me komunat është mënyra më e mirë për të identifikuar nevojat dhe sfidat reale me të cilat ato përballen. Qendra e Burimeve është krijuar për të qenë një mbështetje praktike për komunat dhe për t’i ndihmuar ato të ushtrojnë me sukses kompetencat e tyre dhe të ofrojnë shërbime më cilësore për qytetarët”, deklaroi Perinski.

Gjatë takimit u theksua se përmes dy thirrjeve publike për financimin e projekteve infrastrukturore, për Komunën e Petrovecit janë miratuar gjithsej shtatë projekte me vlerë prej 100.727.775 denarësh.

Kryetari i komunës, Borçe Mitevski, përshëndeti mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale, duke vlerësuar se projektet e realizuara me përkrahjen e Qeverisë dhe Ministrisë kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për qytetarët.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të vazhdojë me vizitat në terren nëpër komuna, me qëllim identifikimin e drejtpërdrejtë të nevojave lokale dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për zhvillimin e tyre.

sqShqip