Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela në intervistën për Alsat theksoi se nuk duhet assesi të lejohet miratimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të cilin e propozon koalicioni qeveritar VMRO-VLEN, ndërsa u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të paraqiten në seancat kuvendore. Me fjalor të ashpër, Sela kritikoi ekspertë të caktuar, por edhe kreun e Kuvendit Afrim Gashi, i cili sipas tij ka fshehur Komisionin e Venecias nga opozita shqiptare.

“Nuk mundesh ti ta heqësh kuotën etnike dhe të dalin lloj-lloj ekspertësh çuditërisht që unë po habitem se me ç’të drejtë, çfarë ligësie duhet të kesh brenda vetes që ta tregtosh të ardhmen e shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut”.
“Ç’janë këta bastardë të tipit të kryetarit të Parlamentit që merr të drejtën Komisionin e Venecias ta mbajë fshehur nga opozita shqiptare dhe këndvështrimet që i ka Ziadin Sela”, tha kryetari i Lidhjes Shqiptare Sela.

Sa i përket çështjes së provimit të jurisprudencës, Sela tha se s’ka nevojë të bëhen ndryshime ligjore, por ministri duhet ta bëjë me një nënshkrim. I pyetur se pse atëherë ministri i tij Krenar Llogaderisa ishte ministër i Drejtësisë, kishte dorëzuar propozim për ndryshime ligjore, Sela u shpreh:

“Unë mendoj se ajo qasje ka qenë gabim. Natyrisht që në atë periudhë unë akoma s’kam qenë kryetar i partisë, ka qenë tjetër kryetar i partisë. Nisën turbulencat që i ndodhën Aleancës për Shqiptarët dhe thjeshtë unë nuk jam konsultuar në lidhje me këtë çështje”.

Pra po thoni pa njohurinë tuaj? “Natyrisht, unë s’kam qenë kryetar partie”, u shpreh Sela.

Sa i përket partisë së re Lidhja Shqiptare tha se është vazhdimësi e Aleancës për Shqiptarët, nga e cila pavarësisht vendimeve gjyqësore nuk ka hequr dorë. Me tone të ashpra Taravarin e quajti tradhtar që sipas tij, ka pasur mision shkatërrimin e ASH-së. Gjithashtu, Sela kritikoi edhe qasjen e BDI-së lidhur me çështjen e legjitetimetit në rrethana kur siç u shpreh VMRO po çmonton Marrëveshjen e Ohrit dhe ndaj kësaj shqiptarët duhet të rrisin kërkesat.

“Maqedonia duhet të jetë shtet binacional dhe jorastësisht ne kishim rezolutë për shtetin binacional. Sepse qasja e tillë që të bësh, të ankohesh vazhdimisht që ne kërkojmë të respektohet legjitimiteti është thirrja e ngratë për pushtet, për asgjë hiç tjetër”, tha Sela. /Alsat.mk

sqShqip