Ali Ahmeti nuk do të jap dorëheqje. Thotë se ka epërsi 23 mijë vota ndaj partive tjera shqiptare. Edhe po mban fjalime në protestat kundër Specialen. Protesta në Shkup do të ketë masivitet dhe i doli zot protestës. Atu i fortë se ka përkrahjen në masë. Ka përkrahjen e Edi Ramës e opozitës së Kosovës. Dorëheqje kolektive është zgjidhja më e mirë për të rimëkëmbur strukturat e goditura të partisë. Mësimi është se ideologjia dhe kauza kombëtare u konvertua në pragmatizëm e korrupsion

Nebi Mërseli
Kur hodhi dorën mbi dy duart e shtrënguara të Arbën Xhaferit dhe Imer Imerit, në mars 2001, në një furrë në periferi të Prizrenit, Ali Ahmeti ua kishte bërë me dije se ai është drejtues i ri i shqiptarëve të Maqedonisë. Njëfarë mënyre delegjetimoi PDSH-në atëbotë në pushtet dhe PPD-në në opozitë.
E kishte forcën e kallashnikovit. Donte marrëveshje me maqedonasit. Donte të ndryshojë pozitën e shqiptarëve. Dhe ia arriti. Në pranverën dhe verën e atij viti sporvoi shtetin e brishtë, duke kërkuar me ngulm marrëveshje. E kishte dorëzan ambasadorin Robert Froëick.
Drejtoi UCK-në në terren dhe në mënyrë të tërthortë mbikëqyrte negocitat që bëheshin në Ohër për t’i dhënë fund luftimeve. Marrëveshja u bë si u bë! Shqiptarët mbetën pakicë edhe në marrëveshje. Maqedonasit e ruajtën ekskluzivitetin mbi shtetin, shqiptarët u pajtuan me unitarizmin. U pajtua edhe Ali Ahmeti! Sikur mezi kishte pritur paqen – të futet në politikë e të drejtojë shqiptarët. Thoshte se ka ditur të bëjë luftën e di të bëjë edhe politikën! Dhe bëri politikë qe 24 vjet.
Kjo ishte një prolog për gjeneratat e reja që nuk kanë përjetuar 2001-shin. Këto gjenerata dhe ato të linduara pas këtij viti rrëfimi është se ai është heroi i luftës dhe ndryshuesi I pozitës së shqiptarëve. Ky rrëfim edhe e mbajti gjallë tërë këto vite.
Më shumë se dy dekada e mori votën e shqiptarëve. Politika është profesion i mallkuar! Doli se dinte të bëjë politikë. Por, mallkimi i erdhi mbrapa. Nuk mori mësim nga PPD-ja dhe PDSH-ja. Fati i tyre po e përcjellë. Zgjodhi të luajë me njerëzit e afërtë dhe ata që i delegonte. Gjysma ia kthyen shpinën kur filloi të zbehet figura e tij e përbashkuesit të shqiptarëve. Edhe daja, shoku i fëmijërisë e idealit dhe gjysma e farefisit ia kthyen shpinën.
Nga përbashkuesi i politikës u bë përcarësi. Me politikën e mosfreskimit të partisë ndër vite u bë përcarësi më i madh i shqiptarëve, duke koketuar me Mendu Thaçin dhe aleancat që bashkoheshin jonatyrshëm. Përcau BDI-në dhe pasi humbi dy palë zgjedhje ende mundohet të kamuflohet nën pelerinën e komandantit. Edhe në Kosovë përbashkoi PDK-në edhe pse me Hashin Thaçin nuk kishte raporte të mira që moti.
Para vetes ka kongresin e partisë, ku paraprakisht la të kuptohet se nuk është fajtor si drejtues i partisë dhe koalicionit. Kërkon dorëheqjen e të gjithëve përpos vetes. Në kongres do të thyhen shtigjet. Parakongresi i mbajtur këto ditë, i quajtur i Vazhdimësisë, sikur paralajmëron se do të ketë ndryshime të mëdha. Atyre që iu dha fjala siku ria vulosën vetes largimin nga pozitat drejtuese.
“Luje macë kryt e bullit!”, u pat përgjigjur në një intervistë dikur. Edhe tash i ka ardhur koha e kësaj metafore! I ka ardhur koha të mbrojë veten e jo partinë. E ka vështirë të bind bashkëpartiakët se ai nuk është fajtori për humbjen ne zgjedhjet lokale. Edhe humbjen e dyshimtë në Kërcovë!
Pakënaqësitë në parti ekzistojnë. Në kongres mund të dalin në sipërfaqe mllefet e anëtarësisë të ngopur nga Musa Xhaferi, Blerim Bexheti…, të ngopur nga Artan Grubi e të përzgjedhurit e tjerë, gjithmonë të deleguar si njerëz më besnikë të tij e jo si bashkëpartiakë.
Përmbajtja e raportit për zgjedhjet lokale në kongresin e javës së ardhshme do të kahëzojë rrugët e partisë më të madhe strukturalisht dhe numerikisht të shqiptarëve. Ali Ahmeti nuk do të jap dorëheqje. Thotë se ka epërsi 23 mijë vota ndaj partive tjera shqiptare. Edhe po mban fjalime në protestat kundër Speciales. Protesta në Shkup do të ketë masivitet dhe i doli zot kësaj proteste. Atu i fortë se ka përkrahjen në masë. Ka përkrahjen e Edi Ramës e opozitës së Kosovës.
Dorëheqje kolektive është zgjidhja më e mirë për të rimëkëmbur strukturat e goditura të partisë. Mësimi është se ideologjia dhe kauza kombëtare u konvertua në pragmatizëm e korrupsion. Blerja kohë gjithë këto vite me zgjidhjen e vonuar të cështjes shqiptare, e bënë të zhytur politikisht me tendencë të ketë humbje të rradhës. Thaçi dhe Sela ia kthyen shpinën. Do t’ia khejnë edhe shumë bashkëpartiakë aktualë.

sqShqip