May 16, 2024
Kosovë

Për herë të parë pavarësia e Kosovës u festua edhe në Beograd

Organizimi i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi për të shënuar 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Beograd ka çmendur mediumet serbe.

Të mërkurën në mbrëmje, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, publikoi fotografi nga ky organizim. “Foto album nga shënimi i 15 vjetorit të Pavarësisë në Beograd. Kjo është hera e parë që nga hapja e Zyrës ndërlidhëse që shënohet Dita e pavarësisë së Kosovës në Beograd”, shkroi ai.

Të menjëhershme ishin raportimet në mediumet e Serbisë. Festimi në Beograd për Pavarësinë e Kosovës u cilësua si “provokim” e “skandal”.

“Provokim i turpshëm në mes të Beogradit: Festohet pavarësia e shtetit të rremë të Kosovës”, është titulli i mediumeve “Informer” e “Alo”. “Provokim i hapur: Festohet pavarësia e Kosovës në mes të Beogradit”, titullohej artikulli i “Novostit”.

Disa mediume që e kanë cilësuar si skandaloze këtë festim, e kanë cekur se kjo po ndodh për herën e parë në Beograd. Skandaloze u cilësua edhe pjesëmarrja në këtë festë e Sonja Biserkos, presidentes së Komitetit serb të Helsinkit.