Japonia i bëri thirrje sot Kinës të marrë “masa të përshtatshme” pasi Pekini u këshilloi qytetarëve kinezë të mos udhëtojnë në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit Japonez, Minoru Kihara, tha se Tokio i kishte “dërguar një mesazh Kinës dhe i kishte kërkuar kategorikisht asaj të merrte masat e duhura”. Por ai nuk specifikoi se çfarë masash duhet të ndërmarrë Pekini.

Deklarata e tij erdhi pasi Kina dje këshilloi qytetarët e saj të shmangin udhëtimet në Japoni për shkak të tensioneve të shkaktuara nga deklarata e kryeministrit japonez Sanae Takaichi se Tokio mund të ndërhyjë ushtarakisht për të mbrojtur Tajvanin, një ishull që Pekini e konsideron një provincë të shkëputur.

Pekini deklaroi gjithashtu se “udhëheqësit japonezë kanë bërë kohët e fundit deklarata hapur provokuese në lidhje me Tajvanin, të cilat kanë dëmtuar seriozisht klimën midis popujve”.

“Tokio dhe Pekini kanë pikëpamje të ndryshme për Tajvanin dhe është e rëndësishme të ruhet komunikimi”, theksoi Kihara.

Kina e pretendon Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe nuk e përjashton përdorimin e forcës për të vendosur kontroll mbi ishullin, i cili ndodhet vetëm 110 kilometra nga Japonia.

sqShqip