Marrëdhënia mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cila së fundmi u kurorëzua me një editorial të përbashkët në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, vazhdon të ngjallë debate të forta. Në qendër të diskutimit është perceptimi i figurës së Ramës në Kosovë, ku një pjesë e publikut e sheh atë si një patriot, ndërsa zëra kritikë e akuzojnë për lojë të dyfishtë.

Sipas analizës së bërë në studion e emisionit “Kafe Shqeto”në syri tv me moderatorin Flavio Qarri, nga studiuesi Enver Bytyçi, kryeministri Rama përdor një strategji të kalkuluar: ndërmerr veprime anti-Kosovë dhe anti-shqiptare, por më pas i mbulon ato me deklarata të bujshme patriotike për të ruajtur mbështetjen popullore. Një shembull i kësaj taktike, sipas tij, ishte deklarata se “Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë” në rast të një sulmi ndaj Kosovës, e cila erdhi menjëherë pas letrës së përbashkët me Vuçiçin. Këto, sipas analistit, janë lëvizje në “terma hipotetikë” që synojnë të mashtrojnë opinionin publik, ngjashëm me premtimet elektorale për projekte tre-dimensionale që paraqiten si tashmë të realizuara.

Sipas Bytyçit edhe konferenca e shtypit në Beograd në vitin 2014 dhe Deklarata e Ramës në zemër të Serbisë se “Kosova është e pavarur dhe Serbia duhet ta njohë”, ishte një skenar i paracaktuar me Vuçiçin. Qëllimi i këtij “teatri” ishte i dyfishtë: Vuçiç do të forconte pozitat e tij para elektoratit serb duke u shfaqur si i provokuar, ndërsa Rama do të ndërtonte imazhin e një patrioti të madh në sytë e shqiptarëve të Kosovës.

Nisma “Ballkani i Hapur” apo editorialet e përbashkëta, janë tregues më të saktë të agjendës së vërtetë të kryeministrit Rama sesa fjalimet e tij patriotike. Kjo qasje lë të hapur debatin mbi natyrën reale të bashkëpunimit Rama-Vuçiç dhe implikimet e tij afatgjata për të ardhmen e Kosovës, tha Bytyçi.

Flavio Qarri: Rikthehemi në transmetim të drejtpërdrejtë e do flasim mbi të gjitha për këtë dashuri të re Rama-Vuçiç të rigjetur edhe në mes të skandaleve. Por një gjë më bën përshtypje në të gjithë këtë. Perceptimi ende te shumë shqiptarë të Kosovës që Rama është ndopak patriot…

Enver Bytyçi: E vërteta është se në Kosovë ka nga ata fansa, do ta quaja unë, ose përkrahës të partive politike apo të politikanëve që, për të cilët Rama është në një marrëdhënie të ngushtë, të cilët e vlerësojnë atë. E vlerësimi për zotin Rama vjen sepse zoti Rama ka një veçori. Ndërsa vepron, ndërsa kryen akte anti-Kosovë dhe anti-shqiptare, ky mbas kësaj, mbas ca ditësh, ai bën deklarata patriotike. Menjëherë mbas letrës së përbashkët me Vuçiç në Frankfurter Allgemeine Zeitung, disa ditë më vonë ai tha se nëse Kosova sulmohet, nuk e tha emrin nga Serbia sepse nuk nënkuptohet por ai nuk guxon ta përmendi emrin. Dhe atëherë tha, Shqipëria, do të, Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë. Domethënë, gjithmonë në terma hipotetik, gjithmonë në terma të asaj se çfarë do të ndodhë. Njësoj si në politikën e brendshme. Kur ka fushata elektorale, harton projekte në tre dimensional dhe jua jep shqiptarëve, ua shet si një vepër të realizuar tashmë? Jo, se do të bëhet, po se ja kjo mori fund, kjo do bëhet.

Flavio Qarri: E vdekur.

Enver Bytyçi: E vdekur. Dhe kështu gënjen edhe këta njerëz të cilët e perceptojnë Ramën si patriot. Të marr një rastin e deklaratës së tij në Beograd, me të cilën spekulohet shumë, në vitin 2014. Ai qëndroi dy orë me Aleksandër Vuçiç duke biseduar kokë më kokë. Mbas dy orësh dolën në konferencë shtypi dhe Rama tha se Serbia, Kosova është e pavarur, Serbia duhet ta njohë. Aleksandër Vuçiç reagoi sikur nuk dinte se çfarë, nuk e dinte skenarin, reagoi në mënyrë, si e the ti këtë. Provokacja, dhe të dy palët synonin të përfitonin si të thuash, mbështetjen e elektoratit të tyre. Rama, Kosovën, nuk e ka elektorat po e donte mbështetjen dhe për këtë ishte i interesuar edhe Vuçiç, dhe Vuçiç sigurisht elektoratin e vet në Serbi. Pse ishte i interesuar Vuçiç? Sepse Vuçiç i kishte parashtruar Ramës projektet serbe për Kosovën dhe ky kishte rënë dakord. Por, që t’i realizonte Rama duhej patjetër të krijonte idenë se është një patriot shumë i madh, sepse duhej mbështetje nga Kosova. Dhe Kosova do të mbështeste një patriot që ka kërkuar në mes të Beogradit për të njohur Kosovën.

Flavio Qarri: Dhe pasi kërkuam njohjen e Kosovës, po hajt t’ia falim një çikë Ujmanin.

Enver Bytyçi: Po t’ia falim Ujmanin dhe gjithë veriun e Kosovës bashkë me Trepçën. E kupton? Pastaj tha, domethënë, duhej mbështetja për këtë projekt me qëllim që… dhe kjo ishte arsyeja e shfaqjes, e asaj çfarë u krijua. E kam fjalën, janë tentativa dhe metoda të njohura të Ramës, por që njerëzit duhet të vetëdijësohen se nuk është Rama ai çfarë thotë se jam. Rama është ai për atë çfarë bën.

Flavio Qarri: Sigurisht.

Enver Bytyçi: Dhe letra në gazetën gjermane është ajo që dëshmon se çfarë ai bën, jo çfarë ai është.

Flavio Qarri: Edhe Ballkani i Hapur një çmenduri ishte.

Enver Bytyçi: Ballkani i Hapur e gjithçka tjetër, Jugosllavia e re e të tjera e të tjera…

sqShqip