Pasuria 15-milionëshe e Mijallkovit pret vendimin për shitje

Edhe gati një vit pas u shpall fajtor ish-drejtori i policisë sekrete maqedonase, Sasho Mijallkov, pasuria e tij prej 15 milionë eurosh mbetet pa u shitur.

Ai në korrik të vitit 2022 u dënua me tre vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, që ka të bëjë me akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit).

Në këtë rast gjyqësor kishte edhe të akuzuar dhe të dënuar të tjerë, por Mijallkov, një nga familjarët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, kishte pranuar fajësinë dhe kishte arritur një marrëveshje me gjykatën për dënimin e shqiptuar, duke pranuar që të dorëzojë pasurinë e tij.

Fillimisht, pasuria e Mijallkovit ishte vlerësuar në rreth 30 milionë euro.

Marrëveshja e arritur vitin e kaluar mes Mijallkovit dhe gjykatës, duhej të zbatohej nga institucionet përkatëse, përkatësisht pasuria e tij të shitej nga shteti.

Nga Qeveria maqedonase thanë se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim i cili do të autorizonte Agjencinë për Konfiskimin e Pronës që të bëjë shpallje për shitjen e patundshmërive të konfiskuara nga Mijallkovi.

Ligji i jep mundësi Qeverisë që banesat dhe parcelat e Mijallkovit t’i jepen në shfrytëzim një institucioni të caktuar pa kompensim, por afati për një masë të tillë ishte një muaj pas marrjes së vendimit, që në rastin konkret ka skaduar.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, dhe drejtori i ri i Agjencisë për Konfiskimin e Pasurisë, Driton Nebiu, gjatë kësaj jave do të diskutojnë për këtë temë, pas së cilës ministri njoftoi se çështja e shitjes së pasurisë së Mijallkovit, do të hapet për seancën e Qeverisë.

Sipas ligjit, pasi Qeveria të marrë vendimin për shitje, Agjencia nxjerr konkluzion për kushtet, mënyrën dhe kohën e shitjes së apartamenteve dhe parcelave.

Në shitje duhet të dalin 33 pasuri të paluajtshme në vlerë prej 15 milionë eurosh, të evidentuar në Agjencinë e Kadastrës.

Sipas të dhënave të Kadastrës, vetëm në dy ndërtesa banimi, Mijallkov ka pasur 25 apartamente, garazhe dhe objekte afariste në vlerë prej 8 milionë eurosh.

Sipas Ligjit për konfiskimin e pasurisë, në ankand publik mund të marrin pjesë vetëm personat që kanë vendosur më parë një garanci me vlerë një të dhjetën e vlerës së pasurisë së paluajtshme.

Gjithsej 11.3 milionë euro janë derdhur në llogarinë buxhetore nga Mijalkov dhe Orce Kamçev, familjarit të Mijallkovit. Por, pasuritë e paluajtshme dhe aksionet bankare që ishin pjesë e konfiskimit nuk janë shitur ende.

Darko Avramovski nga organizata joqeveritare “Koalicioni të gjithë për gjykim të drejtë”, thotë se sipas praktikave ligjore, pasuria e dëshmuar që është fituar përmes krimit konfiskohet dhe shitet në mënyrë që shteti të përdorë ato para.

“Kur ka pronë të konfiskuara, prona e tillë kryesisht shitet me tender publik. Por, shteti mund të vendosë nëse do t’ia japë në shfrytëzim një institucioni shtetëror”, thotë Avramovski.

Pasi prona e konfiskuar e Mijallkovit u bë pronë e shtetit, së bashku me vlerësimin e përgatitur për vlerën e pronës, ka kaluar afati ligjor sipas të cilit Qeveria ka të drejtë ta lëshojë atë pronë në shfrytëzim të cilitdo prej institucioneve.

“Tani është Qeveria ajo që duhet të marrë vendimin për shitjen e pasurive të paluajtshme. Pas marrjes së një vendimi të tillë, Agjencia është e detyruar të organizojë shitjen publike në afat prej 15 deri në 30 ditësh. Megjithatë, ligji nuk e përcakton afatin në të cilin Qeveria duhet të marrë vendim për shitjen e pasurisë së paluajtshme. Derisa Qeveria të marrë vendim, Agjencia është e obliguar ta mirëmbajë pronën që të mos degradojë vlera e saj”, sqaron Avramovski.

Ish-shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, Vilma Ruskoska, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes vitin e kaluar për konfiskimin e pronës së Mijallkovit, kishte thënë se bëhej fjalë për pronë në vlerë prej 30 milionë eurosh. Por, të dhënat e fundit të Agjencisë për Konfiskimin e Pasurisë flasin për pasuri në vlerë prej jo më shumë se 15 milionë eurosh.

Ajo që i ka mbetur tani në dispozicion Mijallkovit, është një shtëpi prej disa miliona eurosh, një pjesë e hotelin “Merriot” në sheshin qendror të Shkupit, si dhe aksione në disa kompani vendore.

Sasho Mijallkov aktualisht ndodhet në vuajtje të dënimit në burgun e Strugës, të cilin vetë e kishte përzgjedhur.

Ish-shefi i policisë sekrete, përveç në rastin “Perandoria”, është dënuar edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.

Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.

Ai është dënuar me tre vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.

Por, disa vendime të shkallës së parë janë anuluar nga Gjykata e Apelit dhe janë kthyer në rigjykim, ndërsa për dy vepra tjera ai mund të lirohet nga vuajtja e dënimit për shkak të mundësisë së vjetërsimit të lëndëve.

Rasti i Sasho Mijallkovit, por edhe i zyrtarëve të tjerë të akuzuar për shpërdorim të detyrës, ka bërë që pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkojnë zbatimin e ligjit dhe rritje të efikasitetit të punës së gjyqësorit në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë./REL/