May 4, 2024
Rajon - Botë

Pas vrasjes së kandidatit për president, në Holandë kapet 600 mln euro kokainë ekuadoriane

Një sasi rekord prej 8.8 ton kokainë është zbuluar nga autoritetet holandeze në portin e Roterdamit, vetëm pak orë pasi në Ekuador u vra me armë zjarri kandidati për President Fernando Villavicencio.

Lënda narkotike e fshehur në një kontejner me banane që vinte nga Ekuadori është kapur që në datën 13 korrik, por prokurorët holandezë e njoftuan operacionin vetëm këtë të enjte.

Kjo sasi kokaine është më e madhja e sekuestruar ndonjëherë në vend, me vlerën e saj që përllogaritet në 600 milionë euro.

‘Më 13 korrik, autoritetet doganore bënë sekuestrimin më të madh të drogës të bërë ndonjëherë në portin e Roterdamit’, thuhet në një deklaratë të prokurorisë.

‘Në dymbëdhjetë paleta me banane u gjetën gjithsej 8,064 pako kokainë, me peshë nga një kilogram secila.’

Doganat holandeze sekuestruan më shumë se 29,702 kilogramë drogë në gjysmën e parë të 2023.

Holanda, Belgjika dhe Spanja janë vendet në të cilat mbërrijnë sasitë më të mëdha të drogës në Evropë, me dërgesa kryesisht nga Panamaja, Kolumbia dhe Ekuadori.

Vitet e fundit, Ekuadori është goditur nga një valë dhune që i atribuohet bandave të trafikut të drogës, e cila kulmoi ditën e djeshme me vrasjen e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, i cili denoncoi korrupsionin dhe premtoi luftë ndaj trafikantëve.