Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim me kongresmenin amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut dhe sfidat që lidhen me ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit, shkruan gazeta KOHA.

Në takim, përveç Ahmetit, morën pjesë edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, si dhe ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Përmes një njoftimi publik, Ahmeti bëri të ditur se gjatë bisedës është diskutuar për rëndësinë e respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, të cilën e cilësoi si themel të paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloj një takim të rëndësishëm me kongresmenin Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Kongresin Amerikan, së bashku me Zijadin Selën dhe Bujar Osmanin. Diskutuam për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, për sfidat që lidhen me ruajtjen e karakterit multietnik të shtetit dhe për nevojën e respektimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit si garanci e paqes, stabilitetit dhe orientimit euro-atlantik të vendit”, deklaroi Ahmeti.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në proceset e paqes dhe demokratizimit në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar edhe interesimin e vazhdueshëm amerikan për stabilitetin e rajonit.

“Shpreha mirënjohjen për rolin historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e paqes dhe demokracisë në vendin tonë, si dhe për interesimin e vazhdueshëm amerikan për stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të rajonit”, thuhet më tej në njoftimin e kreut të BDI-së.

Takimi vjen në një kohë të zhvillimeve intensive politike në vend dhe në prag të debatit të shtuar për çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)

sqShqip