Shkupi do të pajiset me 100 autobusë elektrikë. Automjetet e para pritet të mbërrijnë deri në fund të këtij viti.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit informoi se është nënshkruar marrëveshja për furnizimin me 150 autobusë elektrikë, transmeton portali Lideri.mk.

Furnizimi është realizuar nga pushteti qendror, ndërsa marrëveshja është nënshkruar me kompaninë hungareze “Ikarus”.

– I kam parë autobusët, janë ultramodernë. Ekipet tona tashmë po punojnë në dy lokacionet, Autokomandë dhe Gjorçe Petrov, ku do të vendosen karikuesit për autobusët elektrikë – tha Gjorgjievski.

" "

Ai njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme do të shpallet tenderi për projektimin dhe ndërtimin e trase-së për sistemin BRT, për transportin e shpejtë me autobusë.

Tenderin për autobusët e rinj e realizoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Ky ishte tenderi i tretë publik me radhë, pasi dy të parët ishin anuluar.

Ministri Aleksandar Nikolloski, një muaj më parë, kur përfundoi tenderi, deklaroi se 30 autobusët e parë do të mbërrijnë deri në fund të dhjetorit.

Sipas kushteve të dokumentacionit të tenderit, është planifikuar që të gjithë 150 autobusët të dorëzohen brenda 18 muajve.

Vlera e parashikuar e të gjithë furnizimit, sipas njoftimit të publikuar në Byronë e Prokurimeve Publike, është rreth 51 milionë euro.

Nga 150 autobusët, 100 do të jenë për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjerët do t’u dedikohen qyteteve të tjera.

Autobusët e rinj pritet të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e transportit publik në Shkup. Udhëtarët prej vitesh përballen me transport jo të rregullt, ndërsa JSP “Shkup” nuk ka mjaftueshëm automjete për të përmbushur nevojat e qytetit./Lideri

sqShqip